Lajme

Zyrtarët e BE-së: Është shumë e rëndësishme që Mali i Zi të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale


“Për shkak të krizës aktuale politike, është shumë e rëndësishme që Mali i Zi të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale, sepse ajo vendos se cili është interpretimi i saktë i ligjeve vendase të miratuara nga organet e kualifikuara”, thanë sot zyrtarë të Bashkimit Evropian, shkruan Vijesti

Të pyetur se çfarë qëndrimi do të mbajnë në Samitin e Tiranës, kur bëhet fjalë për Malin e Zi, duke pasur parasysh krizën politike në Mal të Zi, ata janë përgjigjur se Samiti do të jetë një mundësi për të biseduar me presidentin malazez Milo Gjukanoviç.

Në një konferencë informale online me gazetarët, zyrtarët e BE-së thanë se samiti BE-Ballkani Perëndimor po mbahet për herë të parë në një nga vendet e rajonit, pra në një vend që nuk është anëtar i plotë i bllokut evropian.

Më 18 nëntor, kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviç, pas takimit me kryetarët e partive parlamentare, bëri të ditur se nuk kanë arritur marrëveshje për asnjë çështje.

Në këtë takim mori pjesë edhe Presidenti i Malit të Zi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Gjukanoviç, ndërsa liderët e Frontit Demokratik dhe Lëvizjes Qytetare URA refuzuan ftesën, por kishin dërguar disa përfaqësues.

Kërkesa e DPS-së ishte e qartë – tërheqja e amandameteve për ndryshimet në Ligjin për Presidentin, zgjedhja e gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese dhe mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Me votat e shumicës së vjetër parlamentare, të martën e 2 nëntorit në Kuvendin e Malit të Zi, me 41 vota pro dhe pa praninë e opozitës, u votuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Shtetit, të cilat paraqesin një sërë dispozitash antikushtetuese.

Deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb ‘Frontit Demokratik’, ‘Demokratët’, dhe URA duan që presidenti malazez të propozojë një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re ose ta përjashtojë atë krejtësisht nga ky proces.

Gjithashtu, vlen të përmendet se edhe Bashkimi Evropian është i shqetësuar me zhvillimet e funsit në vemd, sidomos për shkeljen e Kushtetutës me miratimin e Ligjit për Presidentin, i cili, sipas tyre, abuzon qartë me dispozitat kushtetuese.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej kohësh, dhe deri atëherë mbetet e paqartë se çfarë rezultati ligjor dhe politik është i mundur nëse Gjukanoviç refuzon të shpallë Ligjin e ndryshuar për Presidentin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore