Lajme

Zyrtare: Lajçaku nominohet për pozitën e ambasadorit të BE-së në Zvicër


Mirosllav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të emërohet ambasador në Zvicër. Kjo tashmë është konfirmuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), derisa Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, nominoi Lajçakun në kuadër të rotacionit të ambasadorëve të BE-së nëpër botë.

Ndërkaq, ambasadori aktual i Estonisë në BE, Avio Orav, pritet ta zëvendosojë shefin aktual të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Sonyong, mandati i të cilit përfundon së shpejti. Orav më herët shërbeu si ambasador i BE-së në Mal të Zi dhe shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Ende nuk ekziston ndonjë emër i pasardhësit të Lajçakut në rolin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ndonëse javët e fundit u përmend emri i ish-presidentit slloven, Borut Pahor, si kandidat i mundshëm për të marrë përsipër procesin e dialogut.

Për emërimin e ndërmjetësit të ri, vendet anëtare të BE-së pritet të vendosin gjatë verës, ndërsa blloku përgatit poste të reja diplomatike në prag të zgjedhjeve evropiane – cikli i ri elektoral për ulëset e Parlamentit Evropian (PE) në qershor pritet të ndikojë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Largimi i Lajçakut – “shans i ri” për Kosovën: Çfarë do të sjellë rotacioni në BE?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore