Sport

Zyrtare: Briken Calja kampion bote në shkëputje dhe nënkampion në shtytje dhe dygarësh


Nuk ka më dyshime. Pëshengritësi që përfaqëson Shqipërinë në garat ndërkombëtare të këtij sporti, Briken Calja është zyrtarisht kampion bote në stilin e shkëputjes. Gjithashtu, Calja u shpall dhe nënkampion në stilin e shtytjes dhe dygarësh.

Këtë mëngjes të 30 dhjetorit dolën rezultatet më të fundit të testeve antidoping. Peshëngritësi rezultoi i pastër dhe medaljet e kampionit dhe nënkampionit i zyrtarizohen përfundimisht tashmë.

Calja garoi në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Uzbekistan, në fillim të dhjetorit. Ai fitoi medaljen e artë në stilin e shkëputjes, duke ngritur në total 156 kilogram.

Ka qenë vetë sportisti që ka reaguar në mediat sociale, duke ndarë lajmin me përkrahësit e tij.

“Një lajm i mirë mbërriti këtë mëngjes, testet antidoping dolën duke treguar pastertinë dhe vërtetësinë e medaljeve historike të Botërorit të fundit”, shkruan Calja.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që medaljet e arit dhe të argjendit certifikohen si të Shqipërisë, të shqiptarve dhe personalisht të miat”, vijon ai.

Kujtojmë që më herët, peshëngritësi kuqezi ishte i pafat taksa nuk arriti të merrte medaljen e bronzit në Lojërat Olimpike të Tokios 2020 (2021), për vetëm një kilogram.

Ndërsa në prill të këtij viti, Calja mori medalje argjendi në shtytje dhe bronzi në dy garësh në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes 2021 në Moskë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore