Shqipëria

Zyrtarë amerikanë të ATA-s takojnë autoritetet shqiptare, në fokus kundër-terrorizmi


Drejtori i Programit të Ndihmës Antiterroriste të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit të Shtetit (ATA), Timothy Leeds dhe menaxheri i programit James Doherty vizituan Shqipërinë këtë javë për t’u takuar me zyrtarë në Ambasadën Amerikane dhe Policinë e Shtetit.

Lajmi u bë i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Që nga viti 2016, programi i Shërbimit Diplomatik të Sigurisë ATA, nëpërmjet Zyrës Rajonale të Sigurisë në Ambasadë, ka dhuruar miliona dollarë pajisje dhe ka ofruar trajnime të shumta për Policinë e Shtetit.

Këto, për të përmirësuar aftësitë e saj në fushën e kundër-terrorizmit, krimit kibernetik dhe mjekësisë ligjore dixhitale.

Zyrtarët amerikanë shoqëroheshin gjatë vizitës nga oficerja e re e Sigurisë Rajonale e Ambasadës, Kathryn Hammond.

Leeds dhe Doherty u takuan me Drejtorin e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe diskutuan mënyrat se si ATA mund të vazhdojë të mbështesë zbatimin e ligjit në Shqipëri.

Zyrtarët amerikanë zbuluan gjithashtu një dhurim shtesë pajisjesh për Policinë e Shtetit.

Gjatë vizitës së tyre, zyrtarët e ATA-s u takuan edhe me Drejtorin e Antiterrorit, Alban Dautaj për të vizituar objektet e tyre dhe diskutuan se si kurset e mëparshme të trajnimit kanë përfituar nga operacionet kundër terrorizmit në Shqipëri.

Vizita theksoi bashkëpunimin e fortë mes Zyrës së Sigurisë Rajonale të Ambasadës Amerikane dhe Policisë së Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore