Lajme

Zyra e Kurtit thyen heshtjen – flet për liturgjinë në kishën tek UP-ja


Liturgji fetare në objektin e braktisur në kampusin e Universitetit të Prishtinës

Në objektin pa leje dhe të papërfunduar të Kishës Ortodokse serbe “Krishti Shpëtimtar”, të enjten u mbajt liturgji fetare. Zyra e kryeministrit Kurti, pas dy dite ka thyer heshtjen për këtë ngjarje.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku thotë se Kisha Ortodokse Serbe performoi një liturgji politike të enjten në objektin që gjendet në kampusin e UP-së.

“Duke organizuar liturgji politike, të bën Kishë politike. Kësisoj në vend se të sjellësh njerëzit së bashku, ti shkakton konflikt. Zoti na urdhëron neve që të kërkojmë paqe. Ndjekja e instruksioneve të “zotërave politikë” është formulë për shkatërrim”, ka shkruar Çeku.

Çeku përmes një postimi në “Facebook” ka listuar disa fakte për restaurimin e kishave dhe manastireve ortodokse.

“Kisha Ortodokse Serbe do të duhej ta kishte mësuar këtë mësim nga vitet e 90-ta. Ekziston një çështje e mosmarrëveshjes pronësore për strukturën e papërfunduar të ndërtuar në Universitetin e kampusit të Prishtinës gjatë sundimit gjenocidal të Millosheviçit”.

Tutje ai ka thënë se “Liturgjia politike e Kishës Ortodokse Serbe është një presion i drejtpërdrejtë në gjykatë, sulm ndaj pavarësisë gjyqësore dhe shkelje e ligjit”.

Shef i stafit të kabinetit Kurti, Luan Dalipi përmes një postimi në rrjetin e tij social “Twitter”, ka reaguar për liturgjinë fetare të dy ditëve më parë, të cilën e quajti si provokim të qeverisë së Serbisë përmes Kishës Ortodokse Serbe.

“Kosova është krenare me tolerancën e vet fetare të të gjitha besimeve, të zbatuar përditë në tërë tokat e saj. Qëllimi i qeverisë serbe është që të provokojë përmes Kishës Ortodokse Serbe duke mbajtur një liturgji brenda terrenit të Universitetit të Prishtinës, në një objekt të papërfunduar”, ka shkruar Dalipi.

Tutje Dalipi është shprehur duke thënë se “Serbia përmes objekteve të papërfunduara po përpiqet që ta destabilizojë vendin që dikur e pushtoi”.

Ai ka shkruar gjithashtu se ky objekt ishte ndërtuar me forcë gjatë regjimit dhe fushatës gjenocidiale të Millosheviç-it.

“Objekti ishte ndërtuar me forcë gjatë regjimit dhe fushatës gjenocidiale të Millosheviqit dhe në fund, studentët dhe mësimdhënësit shqiptarë ishin përjashtuar nga UP-ja dhe qindra shkolla të mesme në tërë Kosovën”.

Ai ka thënë se në kohën kur kombet angazhohen në tema serioze për të ardhmen, Serbia ka vendosur t’i rikthehet së kaluarës.

“Serbia përdor relikte të së kaluarës së vet të erret në përpjekje për ta destabilizuar vendin që e pushtoi dhe e shtypi në mënyrë brutale për një shekull, duke kulmuar në gjenocid”, ka shkruar ai.

Dalipi i bën thirrje qeverisë së Serbisë që të ballafaqohet me të kaluarën dhe të ndalet me nxitje të trazirave.

“Porosia jonë për ta është që të mos qajnë si për ujkun (shprehje figurative: kur dikush kërkon ndihmë pa nevojë e pastaj nuk i besohet kur vërtet ka nevojë), të ndalet së nxituri trazira dhe në vend të kësaj, të përqendrohet në hapjen e një kapitulli të ri të paqes duke e njohur shtetësinë e Kosovës”.

Në fund të postimit të tij Dalipi ka falënderuar qytetarët që shfaqën pjekuri duke e mbajtur qetësinë dhe duke shmangur çfarëdo provokimi.

Në vitin 2015, Universiteti i Prishtinës kishin bërë një padi për kthimin në pronësi të mbi 4 hektarëve që tashmë me një vendim të masave të dhunshme e ka Kisha Serbe.

Për arsye krejt banale, të mospranimit të ftesës, në seancën e vendosjes UP-ja nuk kishte prezantuar në Gjykatë. Kështu rasti kishte kaluar në shkallën e dytë.

Gjykata e shkallës së dytë, më 2017 i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronësi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Edhe Gjykata e Shkallës së Dytë vendosi që ta hidhte poshtë padinë e UP-së, me çka ky institucion as sot e kësaj dite nuk e ka nën kontroll këtë hise toke që është në qendër të kampusit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore