Sport

Zvicra publikon listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e shtatorit, ftohen tre futbollistë shqiptarë


Përzgjedhësi i ri i kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, ka publikuar listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës, “Katar 2022”.

Në listën e futbollistëve të ftuar, si zakonisht nuk mungojnë as ata me prejardhje shqiptare.

Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka janë të padiskutueshmit në formacionin e helvetikëve, derisa këtë herë ftesë ka marrë edhe Andi Zeqiri.

Ndeshjen e parë, Zvicra do ta luajë miqësoren përballë Greqisë më 1 shtator, derisa kjo është edhe ndeshja debutuese e trajnerit të ri Murat Yakin, i cili zëvendësoi Vladimir Petkovic-in.

Kurse, më 5 shtator, helvetikët do të përballen në ndeshjen e parë kualifikuese të Kupës së Botës, ku do të presin kampionin e Evropës, Italinë.

Ndërsa, tre ditë më vonë, zviceranët do të përballen në udhëtim me Irlandën Veriore.

Përveç këtyre dy kombëtareve, Zvicra gjendet në grup edhe me Bulgarinë dhe Lituaninë.

Ndërkohë, Zvicra pozicionohet e dyta në Grupin C, me gjashtë pikë të grumbulluara në dy ndeshjet e para ndaj Bulgarisë dhe Lituanisë, ndërsa në vendin e parë është Italia me tri pikë më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore