Lajme

Zvarritja e hetimeve për rastin e Banjës, Tahiri e indinjuar me partnerët ndërkombëtarë: S’është vetëm irrituese, por edhe e rrezikshme  


Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e palës kosovare në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, është shprehur e indinjuar me qasjen e partnerëve ndërkombëtarë rreth hetimeve të rastit të Banjës.

“Po vazhdon retorika irrituese e partnerëve ndërkombëtar rreth hetimeve të rastit të Banjës ndërkohë që Serbia ende nuk u ndëshkua”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.

Sipas Tahirit është e pakuptimtë kjo zvarritje përkundër avancimeve teknologjike, incizimeve satelitore dhe Inteligjencës artificiale.

“Po më befason SHBA-ja sa për BE-së i duhen muaj të tëra derisa merr vendim në mungesë të unitetit në politikën e jashtme. Kjo nuk është vetëm irrituese por edhe e rrezikshme”.

Autoritetet kosovare për ditë të tëra publikuan video, dokumente dhe evidenca të ndryshme për të konstatuar se prapa sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit qëndron Serbia, megjithatë sipas ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, këto fakte janë të pamjaftueshme për të konkluduar se sulmi u sponsorizua nga Beogradi zyrtar.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, Jorn Rohde, ka potencuar se qeveritë nuk marrin vendime në bazë të videove të cilat publikohen në mediat sociale.

“I kam parë edhe unë pamjet. Qeveritë marrin vendime në bazë të provave që jepen nga qeveritë, nuk bëj gjykime vetëm në bazë të videove që shoh ne media sociale. Mund të ketë lajme të rreme, kur doli lajmi që Milan Radojiçiç gjendet në manastir si dhe më vonë doli vetë ai dhe e pranoi, në rregull”, pohon ai.

Kësisoj top-diplomati gjerman beson se për ngjarjen e 24 shtatorit duhen hetime profesionale, e cila sipas tij nënkupton që qeveritë të ofrojnë qeverive të tjera prova të plota.

“Kjo do të thotë se duhet të kryhet puna e plotë policore, e kjo duhet të kryhet plotësisht”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore