Lajme

ZRrE shqyrton kërkesën e “Elektrosever” për licencim


Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)

Këtë të premte të 24 qershorit, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të shqyrtojë kërkesën për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike për “Elektrosever” për katër komunat veriore në Kosovë, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Kosova dhe Serbia në Bruksel të martën nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të arritura për energjinë gjatë viteve 2013 e 2015, ku njëra ndër pikat obligon ZRRE-në t’ia lëshojë licencën e furnizimit “Elektroseverit”.

Mbledhja është paraparë të mbahet me fillim prej orës 13:00 në zyrat e Rregullatorit të Energjisë.

Marrëveshja për energjinë ka dominuar diskursin publik në vend ditëve të fundit me debate të ashpra edhe në Kuvendin e Kosovës, duke akuzuar Kurtin për hipokrizi për shkak se, sipas opozitës, të njëjtën marrëveshje e kishte kundërshtuar.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” – Kush është kompaia serbe që pritet të futet në Kosovë?

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel që një kompani serbe të bëhet pjesë e sistemit energjetik, në mënyrë që të mund të stabilizohet gjendja me energji në Veri.

Siç dihet, qysh nga paslufta, konsumatorët në Veri nuk paguajnë rrymën.

Por, cila është kompania serbe që do të futet me këtë marrëveshje në territorin e Kosovës dhe cili do jetë fushveprimi i saj?

Bëhet fjalë për kompaninë “Društvo Elektrosever D.O.O.”.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” tashmë veç është regjistruar në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Pronare e vetme e kësaj kompanie që është në procedurat e licencimit në Kosovë është “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, kompania shtetërore e Energjisë Elektrike në Serbi.

Në faqen e vet zyrtare “Elektroprivreda Srbije” shkruan se është “një kompani e organizuar vertikalisht, e cila ka të drejta themeluese në dy filiale dhe tri ndërmarrje publike në Kosovë”. Me afër 29 mijë punëtorë “Elektroprivreda Srbije” është kompania më e madhe në Serbi, në të gjitha llojet e industrive.

Edhe në Kosovë edhe në Serbi është njoftuar se janë afër një marrëveshje, por vetëm kaq. Të dhënat e vetme janë ofruar të hënën e 13 qershorit kur Besnik Bislimi, pas shkrimit në Albanian Post, publikoi një status ku shkruante se “Društvo Elektrosever D.O.O.” do të bëjë vetëm “vendosjen e matёsve tё energjisё, mirёmbajtjen e matёsve, faturimin dhe inkasimin”.

Por, certifikata e kësaj kompanie e regjistruar në ARBK flet ndryshe.

Si aktivitet primar kjo kompani ka vendosur “Tregtinë e energjisë elektrike” dhe vetëm si aktivitet sekondar është dhënë “riparimi i pajisjeve elektrike”.

Sipas ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe njeriut që i di çështjet e energjisë në Kosovë më mirë se kushdo tjetër, Fadil Ismajli, nuk ekziston një mekanizëm që ia ndalon kësaj kompanie veprimtarinë edhe në pjesë të tjera të vendit.

“Nuk jam i bindur a mundet dikush ta kufizojë mos të ofrojë energji edhe në Prishtinë edhe kudo tjetër”, thotë ai për Albanian Post.

“Kjo është me definicion, është furnizues”, shpjegon më tej Ismajli.

“Tregu i lirë çka është? Për me pas më shumë furnizues të cilët kanë me bo kompeticion në mes vete, me çmim, me shërbime, me kujdes ndaj konsumatorit e kështu me radhë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore