Lajme

“Društvo Elektrosever D.O.O.” – kjo është kompania serbe që pritet të futet në Kosovë


Besnik Bislimi, Albin Kurti, Aleksander Vucic, certifikata e regjistrimit e kompanise serbe ne Kosove

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në Bruksel që një kompani serbe të bëhet pjesë e sistemit energjetik, në mënyrë që të mund të stabilizohet gjendja me energji në Veri.

Siç dihet, qysh nga paslufta, konsumatorët në Veri nuk paguajnë rrymën.

Por, cila është kompania serbe që do të futet me këtë marrëveshje në territorin e Kosovës dhe cili do jetë fushveprimi i saj?

Bëhet fjalë për kompaninë “Društvo Elektrosever D.O.O.”.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” tashmë veç është regjistruar në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Pronare e vetme e kësaj kompanie që është në procedurat e licencimit në Kosovë është “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, kompania shtetërore e Energjisë Elektrike në Serbi.

Në faqen e vet zyrtare “Elektroprivreda Srbije” shkruan se është “një kompani e organizuar vertikalisht, e cila ka të drejta themeluese në dy filiale dhe tri ndërmarrje publike në Kosovë”. Me afër 29 mijë punëtorë “Elektroprivreda Srbije” është kompania më e madhe në Serbi, në të gjitha llojet e industrive.

Edhe në Kosovë edhe në Serbi është njoftuar se janë afër një marrëveshje, por vetëm kaq. Të dhënat e vetme janë ofruar të hënën e 13 qershorit kur Besnik Bislimi, pas shkrimit në Albanian Post, publikoi një status ku shkruante se “Društvo Elektrosever D.O.O.” do të bëjë vetëm “vendosjen e matёsve tё energjisё, mirёmbajtjen e matёsve, faturimin dhe inkasimin”.

Por, certifikata e kësaj kompanie e regjistruar në ARBK flet ndryshe.

Si aktivitet primar kjo kompani ka vendosur “Tregtinë e energjisë elektrike” dhe vetëm si aktivitet sekondar është dhënë “riparimi i pajisjeve elektrike”.

Sipas ish-ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe njeriut që i di çështjet e energjisë në Kosovë më mirë se kushdo tjetër, Fadil Ismajli, nuk ekziston një mekanizëm që ia ndalon kësaj kompanie veprimtarinë edhe në pjesë të tjera të vendit.

“Nuk jam i bindur a mundet dikush ta kufizojë mos të ofrojë energji edhe në Prishtinë edhe kudo tjetër”, thotë ai për Albanian Post.

“Kjo është me definicion, është furnizues”, shpjegon më tej Ismajli.

“Tregu i lirë çka është? Për me pas më shumë furnizues të cilët kanë me bo kompeticion në mes vete, me çmim, me shërbime, me kujdes ndaj konsumatorit e kështu me radhë”.

 

Bisedimet aktualisht në Bruksel

A do të futen kompanitë serbe si nën-kontraktor të KEDS-it, apo si operatorë në vete.

Çka është dallimi?

Nëse kompania futet si nën-kontraktor i KEDS-it atëherë, meqë KEDS është pronar i rrjetit dhe aseteve të distribucionit në gjithë territorin e Kosovës, kompania serbe do të shfrytëzonte rrjetin e KEDS-it dhe do ta mirëmbante në vendet ku nuk futet dot KEDS.

Ndërsa, nëse kompania serbe futet si operator në vete, atëherë “Društvo Elektrosever D.O.O.”, do krijojë rrjetin e vetë dhe atë mund ta bëjë jo vetëm në Veri të vendit, por në gjithë territorin e Kosovës, sepse nuk ka ligj që ia ndalon një operatori shtrirjen e biznesit nëse veç është i regjistruar ligjërisht në Kosovë dhe ka licencë për operim.

“Kjo ka qenë lufta edhe atëherë edhe në vitin 2015. Por, kjo është vështirë të bëhet”, thotë Ismajli.

“Nëse i jep licencë atij dhe e regjistron si konsumator, e merr edhe prej KOSTT-it që i nënshtrohet rregullave të tregut e kështu me radhë. Vështirë është ta kufizosh. Por, edhe ai e ka shumë vështirë me hy në skemën e furnizuesit, sepse i duhet me e shtri rrjetin e vetë pastaj. Gjithmonë kemi luftu që, okej, nëse pranojmë atëherë do të jetë nën-kontraktor i KEDS-it, respektivisht ai tjetri me qenë gjithashtu një lloj agjenti i KESCO-s në qatë pjesë”.

Por, edhe nëse futet vetëm si nën-kontraktor për KEDS-in dhe agjent për KESCO-n, Ismajli tregon se mundësia për manovra është shumë e madhe.

“Kjo është, më lejo ta shpjegoj, ngjashëm, sikur çështja e Z-Mobile. Z-Mobile kur e kanë bë kontratën aty kanë qenë dallaveret e mëdha. Nuk e kanë kufizuar për një territor të caktuar edhe me thanë ‘ty po të lë këtë pjesë’”, ilustron Ismajli me shembullin që i kushtoi Kosovës miliona euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore