Lajme

ZRRE propozon rritjen e çmimit të energjisë elektrike, Gashi: Është kosto e paaftësisë qeverisëse


Arben Gashi

Për shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është kostoja e paaftësisë qeverisëse.

Gashi duke e kritikuar Qeverinë Kurti ka potencuar se ajo po e rëndon vazhdimisht jetën e qytetarëve.

“Nga kjo paaftësi rëndohet mirëqenia e qytetarëve, sepse rritë koston e jetesës dhe dëmton gjepin e tyre. Ndërkaq, cilado kategori që preket nga kjo rritje në thelb prekë të gjithë pa përjashtim”, ka shkruar Gashi në Facebook.

“Vetëm kjo Qeveri ka ‘aftësi’ që një gjendje të rënduar ta rëndoj edhe më tej, duke na bindur për çdo ditë se ka ‘aftësi’ të qeverisë keq e më keq. Çka është edhe më keq, të lë përshtypjen që nuk e dinë që s’dinë”.

Ndryshe gjatë ditës së hënë të 17 janarit ZRRE ka publikuar dy raporte konsultative ku njëra nga këta ka të ka të bëjë me kthimin e bllok tarifave.

Sipas propozimit të ZRRE-së i cili reflekton kostot e ofrimit të furnizimit me energji elektrike, është që tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 9% për komponentën e energjisë të tarifave për konsumatorët biznesorë dhe për nivelin e konsumit deri në 600 kWh të konsumatorëve shtëpiak.

“Niveli i konsumit mbi 600 kWh, që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, furnizohet me tarifë prej 0.21 euro/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët”, thuhet në raportin në fjalë.

Bazuar në këtë propozim fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 euro në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj.

Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kwh rritet për 26.98, euro ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh rritet me 50.89. euro.

Pra sipas propozimit të ZRRE-së nëse një konsumator i cili ka shpenzuar 1000 kWh energji elektrike dhe ka paguar 58.52 euro tash pas rritjes do të duhet të paguaj 109 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore