Kosova

ZRRE pritet të shtrenjtoj tarifat për 15%, edhe pas ndihmës 75 milionëshe nga BE-ja


Ilustrim

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji do të mblidhet sërish këtë të enjten për të vendosur lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike në Kosovë.

Ashtu siç tha në konferencën për medie, para gjashtë dite, kryetari i ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tarifat pritet të ngritën deri në 15%.

Nga 1 prilli, deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm kosovarët do të duhet të paguajnë më shtrenjtë për energjinë elektrike.

Me këtë date hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë, të cilat do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit për Energji, përveç që ka konfirmuar se takimi i të enjtes do të jetë vendimtari i përcaktimit të tarifës së re të energjisë elektrike, ai ka treguar se kjo tarifë nuk do të jetë më e ulët se 15%.

“Zyra e Rregullatorit për Energji, në përputhje me te Hyrat e Lejuara Maksimale për të Licencuarit, ka pranuar aplikimet e të Licencuarve në lidhje me tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Transmetimit, Operimin e Sistemit dhe Operimin e Tregut (OST/OT), tarifave për Shfrytëzimin e Rrjetit të Shpërndarjes (OSSh) dhe tarifat me pakicë për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU) për vitin relevant tarifor 2023”.

“Siç është deklaruar nga ZRRE-ja edhe me herët, pritet që rritja e tarifave të jetë rreth 15%. Me datë 30 mars 2023, do të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE-së”, ka thënë Pepaj.

Në komentet që kishte dorëzuar në ZRRE, Zyra e Presidentes Vjosa Osmani ishte rekomanduar që të mos ketë rritje të tarifave. Duke arsyetuar me normën e lartë të inflacionit.

Për të mbuluar kostot shtesë që kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar, Presidenca kishte përmendur mundësinë që ato të mbulohen përmes subvencionimit.

“ZPRK-ja rekomandon që në këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave duke inkurajuar komunikimin dhe koordinimin ndërinstitucional me qëllim të sigurimit të subvencionimit të kostove shtesë të cilat kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar”, thuhet në komentet e zyrës së Presidencës.

Presidenca në arsyetim kishte përmendur edhe ndihmën e dhënë nga pakoja 75 milionëshe e BE-së.

“Në këtë drejtim do të mund të kontribuonte edhe pakoja e Mbështetjes për Energji e BE-së për Kosovën përmes së cilës janë siguruar 75 milionë euro për të ndihmuar me përballjen me krizën energjetike. Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së, 25 milionë euro do të shkojnë për subvencionimin e faturave të energjisë dhe metodave të ngrohjes alternative, si druri dhe peleti”.

“Andaj, ZPRK-ja, rekomandon që përpara marrjes së një vendimi final, të shqyrtohet seriozisht mundësia e subvencionimit, duke shmangur nevojën për një vendim të ri të ZRRE-së, i cili do të rezultonte me rritje të sërishme të tarifave në vendin tonë”, thuhet në komentet e Presidencës.

Komente kishte dorëzuar edhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai kishte sygjeruar që tarifat për amvisërinë të mbeten të pandryshuara dhe që mbulimi i hendekut të bëhet duke përshtatur tarifat për bizneset, sidomos ato të mëdha.

“Mbulimi i hendekut për HLM për 2023 të bëhet kryesisht nga bizneset: Në shqyrtimin e ndodhur vitin e kaluar, përkundër propozimeve nga MFPT por edhe nga palë tjera siç është Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, ZRRE la të pandryshuara tarifat për bizneset, duke ndryshuar vetëm tarifat për amvisëritë me shtimin e bllokut të ri tarifor për konsumin mbi 800 kWh”.

“Nisur nga kjo situatë, për vitin 2023, sugjerojmë që tarifat për amvisëritë do të mbeten të pandryshuara, ndërsa mbulimi i hendekut të bëhet (në masë të madhe) duke përshtatur tarifat për bizneset, dhe sidomos bizneset e mëdha. Një përshtatje e tillë për bizneset e mëdha mund të shihet edhe në kontekstin e hapjes së tregut, ku tarifat e rregulluara do duhej që gradualisht të konvergjonin me tarifat që aktualisht janë në treg të hapur”, thuhet në komentet e dërguara nga ZKM.

Tarifat që aktualisht janë në fuqi ishin miratuar më 8 shkurt të vitit të kaluar.

Me këto tarifa, shtrenjtim të faturave kanë pasur ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë kanë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë është 7 centë, ndërsa ajo e ulët, 3 centë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore