Lajme

ZRRE miraton kërkesën e KOSST-it, e liron nga obligimi për mbulimin e energjisë në Veri


Mbledhja e ZRRE-së.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ka miratuar kërkesën e KOSTT-it që ta liroj nga obligimi për mbulimin e humbjeve të energjisë në katër komunat veriore, pas vendimit që energjia e konsumuar në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit kosovar.

Ky vendim është marrë të hënën në mbledhjen e mbajtur nga ZRRE-ja, kërkesë kjo që është paraqitur nga Ymridin Misini.

“Përmes nenit 5, KOSTT është i obliguar që të mbulojë humbjet andaj KOSTT kërkon largimin e obligimit për mbulimin e humbjeve, respektivisht të fshihet neni 5”, ka thënë Misini.

Kjo kërkesë më pas është miratuar nga kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, i cili theksoi se me fillimin e faturimit të energjisë elektrike, përfundon obligimi i KOSST-it për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike.

“Ky obligim që ka qenë për KOSTT, përfundoi pasi që deri tash ka qenë barrë për të. Por, duhet të theksohet se rregullatori me vendosjen e obligimit i ka lejuar edhe mjetet për të”, tha Fejzullahu.

KOSST, ka bërë të ditur se që nga 1 janari i 2024-ës, në katër komunat në Veri të Kosovës, do të regjistrohet energjika elektrike e shpenzuar.

Mos faturimi i konsumatorëve të energjisë elektrike në Veri të Kosovës, nga ana e KEDS-it nuk ishte problemi i vetëm me mos qasjen e operatorit të Kosovës në atë pjesë.

Një tjetër, shumë më i rëndësishëm, ishte mos kontrollimi i nën-stacionit të Vallaçit që gjendet në Veri, nga Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), e që akoma nuk dihet nëse ka kaluar.

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave e cila i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

Me këtë marrëveshje është synuar që të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në Veri të Kosovës.

Ndër vite, borxhi i Veriut për energji ishte paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 ishte marrë vendim që të paguhet nga Qeveria e Kosovës.

Llogaritet se fatura e përgjithshme e konsumatorëve për energji në këtë pjesë kishte shkuar deri në 12 milionë euro në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore