Lajme

Rryma në veri “nga sot” paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të Kosovës, njofton kryeshefi i KOSTT-it


Ilustrim

Kryeshefi i operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), Evetar Zeqiri, ka njoftuar se nga 1 janari 2024, energjia e konsumuar në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit kosovar.

Zeqiri ka thënë se kompania serbe “Drustvo Elektrosever D.O.O” ka filluar nominimin e energjisë elektrike që konsumohet në katër komunat veriore, duke marrë përgjegjësinë për konsumin e rrymës në këtë pjesë të vendit dhe rrjedhimisht, nga 1 janari pushojnë edhe devijimet e KOSTT-it.

“Me 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01’, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k – kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës – ka filluar të nominoj energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 viteve, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, ka shkruari ai.

Zeqiri, krahas postimit në llogarinë e tij në “Facebook” të hënën, ka shtuar edhe dy fotografi, ku tregohet periudha rreth 1 orë para ndërrimit të motmoteve dhe një tjetër disa minuta pas fillimit të nominimit të energjisë elektrike nga “Drustvo Elektrosever D.O.O”, ku sipas tij, vërehen ndryshimet.

“Fotografia e parë (në të majtë) tregon periudhën rreth 1 orë para orës 12:00h, para fillimit të nominimit. Ndërsa fotografia e dytë (në të djathtë) tregon kohën diku rreth 6 minuta pas fillimit të nominimit. Vërehet menjëherë një nivel i devijimeve të pa qëllimshme dukshëm më i ulët, pra afër zero”.

Kjo marrëveshje synon të normalizojë shpërndarjen, furnizimin, dhe faturimin e energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës të banuara me serbë etnikë – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Serbët nuk kanë paguar rrymë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore