Lajme

ZPS-ja për dëshmitarin serb pretendon se u ndalua në Suharekë gjatë luftës dhe u lirua me 5 korrik të 98-ës


Dëshmitari i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS), Dejan Jevtiç.

Dëshmitari i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS), Dejan Jevtiç, ka nisur dëshminë të hënën në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokurori Cezary Michalczuk, në përmbledhjen para dëshmisë së Jevtiçit deklaroi se ai është nga fshati Muhlan i Suharekës dhe është ndaluar në fshatin Budakovë.

“Më apo rreth 4 korrikut 1998, person i etnisë serbe nga fshati Muhlan i Suharekës, së bashku me dy të afërm të tij afër (nuk kuptohet) nga dy shqiptarë të armatosur, me uniforma të zeza. Serbët janë dërguar në një shtëpi në Budakovë ku i janë lidhur sytë dhe duart”.

“Më pas ata janë rrahur me pushkë dhe me zinxhirë dhe janë hedhur në një bunker pas një shtëpie ku janë marrë në pyetje”, ka thënë Michalczuk.

Ai tutje ka pretenduar se dëshmitari Jevtiç është marrë në pyetje në Muhlan dhe i është thënë që ia kanë vrarë babanë.

“Të dy serbët e tjerë po ashtu i kishin marrë në pyetje. Të tre këta serbë janë dërguar në një shtëpi rreth 2-3 kilometra më larg dhe janë futur në bodrumin e një shtëpie ku janë rrahur. Në atë bodrum janë ndaluar edhe dy shqiptarë”.

“Ata i kanë thënë dëshmitarit se konsideroheshin tradhtarë që bashkëpunonin me policinë serbe. Dëshmitari dhe të ndaluarit e tjerë serb janë liruar me 5 korrik 1998”.

Ndërsa ka theksuar se ai nuk ishte kthyer më në fshatin e tij.

“Kishte mësuar se shtëpia e tij ishte shkatërruar pasi të afërmit e tij ishin larguar nga Kosova në qershor të vitit 1999”.

“Dëshmitari ka pasur nevojë për trajtim mjekësor për lëndimet e marra”.

Të hënën në Gjykatën Speciale ka përfunduar dëshminë ish-zyrtarja e OSBE-së, Sandra Mitchell, e cila kishte shërbyer në Kosovë gjatë viteve 1998-99.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore