Lajme

ZPS-ja kërkon që Pjetër Shala të dënohet me 28 vjet burgim


Pjetër Shala.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, i cili akuzohet për krime lufte, si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme të dënohet me 28 vjet burgim.

Kërkesa është bërë nga prokurorja Eva Wyler duke thënë se dënimi duhet të jetë i vetëm për katër pika.

“Pika 1 për ndalim arbitrar tetë vjet burg, pika 2 Trajtim mizor, 15 vjet burg, pika 3; Torturë, 20 vjet burg, për pikën 4- Vrasje, 26 vjet burg. Në përputhje me rregullën 1634 të rregullores, trupi gjykues të caktojë një vendim të vetëm që pasqyron tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit”.

“ZPS-ja kërkon që të caktohet ndaj të akuzuarit një dënim i vetëm prej 28 vjet burg”, tha prokurorja.

Wyler pretendoi se Shala, ka qenë një person që i ka bërë 18 persona viktima të ndalimit arbitrar, të trajtimit mizor, të torturës dhe të vrasjes së njërit prej tyre.

“Mbrojtja e përshkruan të akuzuarin si një ushtar i thjeshtë i UÇK-së, i cili ndihmoi popullin e tij për të luftuar në front. Provat në këtë çështje që kemi në dispozicion megjithatë vërtetojnë se ai ishte sigurisht edhe një tjetër person. Një person i cili ka bërë 18 persona viktima të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së njërit prej tyre”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin Shalës, i cili akuzohet për krime lufte, ka kërkuar “dënim të rëndë”.

Kërkesa është bërë nga prokurori i ZPS-së, Filippo De Minicis, i cili ka thënë se kanë shqyrtuar me kujdes të gjitha argumentet dhe pretendimet që janë bërë ndaj Shalës.

“Dënimin që kërkon ZPS-ja vjen si rezultat i një shqyrtimi të kujdeseshëm i të gjithë faktorëve përkatës por veçanërisht i sjelljeve të akuzuarit, të veprimeve të tij dhe pasojat që ka shkaktuar ai. Ai ka shkaktuar një dhunë të frikshme ndaj viktimave”.

“Për të gjitha këto arsyeje ai meriton dënime të rënd”, ka thënë Minicis.

Sipas tij, akuzat ndaj tij i kanë konfirmuar dëshmitarët që janë deklaruar deri tani në Speciale.

“Kemi dëgjuar shumë dëshmitarë që kanë konfirmuar dëshminë e njëri-tjetrit. E po ashtu, edhe prova të tjera vërtetojnë dyshimet e Prokurorisë”.

Prokurorët specialë kanë ngritur katër akuza për krime lufte ndaj Shalës, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje.

Ata kanë pretenduar se Shala ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, të cilët konsideroheshin kolaboracionistë.

Shala, i cili akuzohet nga ZPS-ja për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku edhe supozohet se janë keqtrajtuar njerëz dhe një prej tyre u vra, në nisje të gjykimit në Hagë, deklaroi se të gjitha akuzat ndaj tij janë të fabrikuara. Ai u arrestua më 16 mars 2021, ndërsa gjykimi ndaj tij nisi më 21 shkurt 2023.

Ai ngarkohet për krime të pretenduara lufte që u kryen midis majit dhe qershorit 1999, ndaj personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, e cila pretendohet se kontrollohej nga UÇK-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore