Gjykata Speciale

Prokuroria në Speciale kërkon “dënim të rëndë” ndaj Pjetër Shalës


Prokurori, Filippo De Minicis dhe Pjetër Shala.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në deklaratat përmbyllëse në rastin e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, gjerësisht i njohur me nofkën komandant “Ujku”, i cili akuzohet për krime lufte, është duke kërkuar “dënim të rëndë”.

Kërkesa është bërë nga prokurori i ZPS-së, Filippo De Minicis, i cili ka thënë se kanë shqyrtuar me kujdes të gjitha argumentet dhe pretendimet që janë bërë ndaj Shalës.

“Dënimin që kërkon ZPS-ja vjen si rezultat i një shqyrtimi të kujdeseshëm i të gjithë faktorëve përkatës por veçanërisht i sjelljeve të akuzuarit, të veprimeve të tij dhe pasojat që ka shkaktuar ai. Ai ka shkaktuar një dhunë të frikshme ndaj viktimave”.

“Për të gjitha këto arsyeje ai meriton dënime të rënd”, ka thënë Minicis.

Sipas tij, akuzat ndaj tij i kanë konfirmuar dëshmitarët që janë deklaruar deri tani në Speciale.

“Kemi dëgjuar shumë dëshmitarë që kanë konfirmuar dëshminë e njëri-tjetrit. E po ashtu, edhe prova të tjera vërtetojnë dyshimet e Prokurorisë”.

Prokurorët specialë kanë ngritur katër akuza për krime lufte ndaj Shalës, përfshirë akuzat për torturë dhe vrasje.

Ata kanë pretenduar se Shala ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka arrestuar dhe ka keqtrajtuar të paktën 18 persona, të cilët konsideroheshin kolaboracionistë.

Shala, i cili akuzohet nga ZPS-ja për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku edhe supozohet se janë keqtrajtuar njerëz dhe një prej tyre u vra, në nisje të gjykimit në Hagë, deklaroi se të gjitha akuzat ndaj tij janë të fabrikuara. Ai u arrestua më 16 mars 2021, ndërsa gjykimi ndaj tij nisi më 21 shkurt 2023.

Ai ngarkohet për krime të pretenduara lufte që u kryen midis majit dhe qershorit 1999, ndaj personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, e cila pretendohet se kontrollohej nga UÇK-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore