Lajme

“Zotësia” e Përparim Ramës dhe “Varësia” e Arben Vitisë


Arben Vitia kandidat për kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosje dhe Përparim Rama, kandidat për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Për herë të parë dhe të fundit, dy kandidatët në garë për Kryetar të Komunës së Prishtinës u ulën përballë njeri tjetrit.

Arben Vitia nga Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përballën “forcat” e programeve me të cilat synojnë të fitojnë kryeqytetin në rundin e dytë të zgjedhjeve i cili do të mbahet pas tre ditësh, më 14 nëntor.

Në kulturat amerikane dhe evropiane, kandidatët në garë, të cilët fitojnë debatet gjatë fushatës zgjedhore duke elaboruar më bindshëm programet e tyre garuese, potencialisht mund të fitojnë edhe garën.

Por kush dhe pse e fitoi garën ndërmjet Vitisë e Ramës?

Visar Ymeri, ish kryetar i lëvizjes Vetëvendosje njëkohë, deputet e funksionar i kësaj partie ndër vite, tash si analizues i situatave politike nga jashtë, vlerëson se debatin ndërmjet Vitisë e Ramës, e ka fituar ky i fundit.

“Debati i mbrëmshëm mes dy kandidatëve për kryetar të Prishtinës ka qenë jashtëzakonisht i mirë”, vlerëson Ymeri aspektin e shpalosjes së pikave programore që kandidatët i ofrojnë në këtë garë, “po ashtu edhe në perspektivën politike që ata bartin, e përgatitjen profesionale që ata kanë”.

“Në këtë drejtim mendoj që mbrëmë Përparim Rama ka reflektuar më shumë siguri, aftësi e gatishmëri për të qenë kryetar i Prishtinës”, ka thënë Ymeri për Albanian Post.

“Shihej qartë që ai e ka studiuar detajisht nevojën që ka qyteti i Prishtinës dhe i ka menduar thellë e mirë projektet të cilat e transformojnë qytetin për ta bërë atë hapësirë më të mirë për qytetarët e mundësi më të mirë për një jetë të dinjitetshme”.

Visar Ymeri, analist

“Qasja e tij organike karshi zhvillimit të qytetit dhe ikja nga kurthi i zgjidhjeve afatshkurta të cilat, edhe pse mund të kenë një dimension të dobisë elektorale, kur nuk janë të menduara mirë, paraqesin problem për zhvillimin afatgjatë të qytetit, është jashtëzakonisht e rëndësishme për ta kuptuar ne si votues se kah do të shkonte Prishtina me Ramën kryetar”.

Ymeri vlerëson se ky lloj i politikbërjes është lloji për të cilin ka nevojë Prishtina, “politikë vizionare që e përfytyron qytetin e së ardhmes, e jo vetëm politikë që premton mbylljen e gropave të së tashmes”.

Sipas Ymerit, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, në debat ka shpërfaqur dy mangësi kryesore.

“Në njërën anë pasigurinë personale në qeverisje të cilën pastaj e mbulon me afërsinë me nivelin qendror të qeverisjes; në anën tjetër mungesa e politikës vizionare të cilën jo vetëm që e pranon që nuk e ka, duke insistuar vetëm në rëndësinë e projekteve që i zgjedhin problemet e së tashmes (të mos keqkuptohem këto janë të rëndësishme) por edhe duke e trajtuar me përqeshje e madje cinizëm vizionin e Përprarim Ramës”.

Nga televizioni, Ymerit, Vitia i është dukur se “ka pasur një qasje defanzive dhe pa entuziazëm, që e bënte të shihej sikur është i pavullnetshëm të qeverisë me kryeqytetin”.

Ndërsa Rama, i është dukur më komod me temat që i ngriste, “dhe kishte përgjigje të saktë e të qëndrueshme për secilën çështje programore për të cilat flitej”.

Shemsi Jashari, analist

Se Arben Vitia në debat me Përparim Ramën ishte në defensivë, vlerëson edhe analisti Shemsi Jashari.

Për Albanin post, Jashari ka treguar se këtë analizë e arsyeton me faktin se Vitia nuk i kishe konkrete zgjidhjet infrastrukturore për kryeqytetin.

“Dhe lente të kuptohej se zgjidhjen për problemet e kryeqytetit ato me infrastrukturë, i ka të dëgjuara dhe jo shumë të njohura”.

Sipas Jasharit, debatin e fitoi Rama, pasi që ky arriti ta drejtonte debatin në fushën që e njeh më së miri.

“Vitia u pajtua që debati të zhvillohet në fushën ku Përparim Rama është i profesionit dhe aty u tregua më i mangët. Vitia nuk arriti ta bëjë temë aspektin e shëndetësisë ku e njeh më mirë”, tha Jashari për AP.

“Në përgjithësi Rama doli të jetë më i zoti në aspektin e transformimit të kryeqytetit dhe që mund të realizoj projekte të mëdha që kryeqyteti ka shumë nevojë, përderisa Vitia doli që ka vizion administrimin dhe që do të merret me projekte të vogla që nuk sjellin ndryshimin e duhur”.

Kritik për Vitinë, Ismaili ishte në pikën kur kandidati për kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosje, parti kjo e cila udhëheqë me qeverinë, “bazohet kryekëput në nivelin qendrorë dhe se pa mbështetjen nga qeveria nuk mund të përmirësoj jetën e qytetarëve të kryeqytetit”.

Ndërsa Rama, sipas Ismailit, “arriti të forcoj pozicionin e tij se vendos vet dhe nuk është peng i vendimmarrjes së partisë dhe se do të qeverisë me profesionistë e jo me militant partie”.

Pikë favorizuese për kandidatin e LDK-së në debat ishte fakti se ai u shpreh i gatshëm që të bashkëpunoj dhe të bashkëqeverisë edhe me ekspertë të partive të tjera, gjë që Vitia tha se nuk do a bënte.

“Vitia përjashtoi çdo bashkëpunim me subjektet tjera edhe ose se ka shumicën në kuvend”.

Albert Krasniqi, analist

“Pozicionimi i Arben Vitisë në debatin e mbrëmshëm ka qenë strategjikisht i gabuar”, ka thënë për Albanian Post, analisti Albert Krasniqi.

“Ka lejuar që debati të zhvillohet në teren të Përparim Ramës – për zgjidhjet urbane të qytetit – në vend se ta orientojë në aspektin e shëndetësisë ku mund të dilte më mirë”.

Krasniqi vlerëson se kandidati i VV-së, duke u munduar të cilësojë programin e Ramës së LDK-së si të pazbatueshëm, “forcoi zërat e kritikëve se Vitia është për projekte të vogla kurse Rama për të mëdha”.

Krasniqi është kritik ndaj përparësisë kryesore që Arben Vitia ka përqendruar në mbështetjen e Qeverisë.

“I vetëdijshëm që prishtinasit tradicionalisht kanë votuar ndryshe, dhe kjo nuk u bën aspak përshtypje”.

Nga debati në mes të këtyre dy kandidatëve, Krasniqi thotë se në një pikë, Vitia ishte kontradiktor me veten.

“Përderisa theksonte se përkrahja nga Qeveria është jetike për suksesin e komunës, përsëriste që mandati i parë i Shpend Ahmetit ka qenë i suksesshëm – përkundër që Qeveria ishte udhëhequr nga një parti tjetër”.

Krasniqi ka theksuar se Arben Vitia ka hapur dhe mbyllur debatin “duke paraqitur frikën se humbja e Prishtinës e fuqizon opozitën. Andaj, fitorja u duhet për të mbrojtur Qeverinë nga opozita, e jo për ta bërë qytet më të mirë për qytetarët e saj”.

Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të fitojë në raundin e parë të zgjedhjeve, pasi mori vetëm 42,33% të votës së përgjithshme për Prishtinën, ku pasohet nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me 29,35% të votave.

Arben Vitia dhe Përparim Rama do të ballafaqohen në raundin e dytë për të parin e Prishtinës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore