Aplikacione

Zoom-i zgjidh çështjen e privatësisë për 86 milionë dollarë


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zoom, kompania e video-konferencave, ka rënë dakord të paguajë 86 milionë dollarë për të zgjidhur një padi klasore mbi privatësinë.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se padia pretendonte se Zoom-i kishte dhunuar privatësinë e miliona përdoruesve duke ndarë të dhënat personale me Facebook-un, Google-in dhe LinkedIn-in.

Gjithashtu ka akuzuar kompaninë për deklarimin e pasaktë se ofron kriptim nga skaji në fund dhe për dështimin e parandalimit të hacker-ave nga seancat e “zoombombing”.

Mirëpo, vetë Zoom-i ka mohuar çdo keqbërje dhe ka njoftuar se ka rënë dakord të rrisë praktikat e sigurisë.

Lidhur me zgjidhjen paraprake, e cila gjithashtu përfshin një dispozitë që Zoom-i do t’i ofrojë stafit trajnim të specializuar në trajtimin e të dhënave dhe privatësisë, është ende subjekt i miratimit nga gjykatësja e rrethit amerikan, Lucy Koh, në San Jose, Kaliforni.

Një zëdhënës i kompanisë ka thënë se “privatësia dhe siguria e përdoruesve tanë janë përparësitë kryesore për Zoom-in dhe ne e marrim seriozisht besimin që përdoruesit tanë tregojnë tek ne”.

Ajo ka shtuar se “ne jemi krenarë për përparimet që kemi bërë në platformën tonë dhe mezi presim të vazhdojmë të sjellim inovacion me privatësinë dhe sigurinë në krye”.

Padia klasore, e ngritur në mars të vitit 2020 në Gjykatën e Qarkut Verior të Kalifornisë, është vetëm një nga disa ankesa ligjore me të cilat përballet platforma e video-konferencave me bazë në SHBA.

“BBC” tregon se kjo padi u ngrit në emër të abonentëve të paguar të “Zoom Meetings” në të gjithë vendin, si dhe përdoruesve pa pagesë.

Sipas avokatëve të paditësit, abonentët e Zoom-it në SHBA gjeneruan 1.3 miliardë dollarë të ardhura për firmën e video-konferencave.

Dhe nëse zgjidhja e propozuar miratohet, abonentët e përfshirë do të kenë të drejtë për 15 për qind të rimbursimeve për abonimet e tyre ose 25 dollarë, ndërsa të tjerët mund të marrin deri në 15 dollarë.

Gjithashtu avokatët e paditësve synojnë të kërkojnë 21.3 milionë dollarë tarifa ligjore nga Zoom-i.

Në mars, kompania e video-konferencave i kishte kërkuar gjykatës të rrëzonte mocionin.

Sidoqoftë, gjyqtarja Koh dha vetëm rrëzimin e një pjese të çështjes që lidhej me dhunimin e privatësisë dhe neglizhencës. Dhe se ajo i lejoi paditësit të vazhdojnë të ndjekin disa pretendime në lidhje me kontratat.

Zombombing dhe shqetësimet e sigurisë

Prej kohësh, Zoom-i është kritikuar për qasjen e tij ndaj sigurisë.

Një çështje kryesore që ka bërë që disa kompani të zgjedhin të ndalojnë përdorimin e platformës janë fenomenet e incidenteve të “Zombombing”, ku mysafirë të paftuar përplasin takimet për të shkaktuar probleme.

Zoom-i është kritikuar gjithashtu për të metat e sigurisë, duke përfshirë një dobësi që lejoi një sulmues të largojë pjesëmarrësit nga takimet, mesazhe mashtruese nga përdoruesit dhe të rrëmbejë ekranet e përbashkëta. Një tjetër detyroi përdoruesit e Mac-ut të telefononin pa dijeninë e tyre.

Për më tepër, paditësit akuzuan platformën për paraqitjen e gabuar të protokollit të saj të kriptimit si kriptim nga skaji në skaj.

“BBC” tregon se kjo do të thotë që Zoom-i mund të ketë qasje në video dhe audio të takimeve, në vend që pjesëmarrësit e takimit të jenë të vetmit në gjendje të deshifrojnë komunikimet.

Sidoqoftë, prej prillit të vitit 2020, Zoom-i ka ndërmarrë një punë të konsiderueshme për të adresuar shqetësimet e sigurisë dhe privatësisë përmes azhurnimeve të aplikacioneve, duke përfshirë futjen e kriptimit nga skaji në skaj dhe më shumë se 100 veçori që lidhen me privatësinë dhe sigurinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore