Lajme

Zogaj: Nuk mund të pengohet puna e gjykatave për shërbime esenciale


Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj

Të martën e 15 marsit, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj ka mbajtur takim virtual me kryetarin e Gjykatës Supreme, kryetarin e Gjykatës së Apelit si dhe kryetarët e gjykatave themelore, për të diskutuar situatën e krijuar në sistemin gjyqësor, si pasojë e grevës së punonjësve të administratës gjyqësore.

Në njoftimin e bërë nga KGJK-ja, thuhet se Zogaj ka ritheksuar qëndrimin e KGJK-së lidhur me grevën.

“Këshilli vazhdon të mbështesë kërkesat legjitime të punonjësve dhe sindikatës, përfshirë rregullimin e statusit të administratës së gjyqësorit me ligj të veçantë si dhe trajtimin dinjitoz në ligjin e pagave”, tha Zogaj.

Ndërsa, KGJK ka apeluar tek të gjithë kryetarët e gjykatave për koordinim me përfaqësues të grevistëve, stafin gjyqësor si dhe gjyqtarët, që të kryhen punë dhe shërbimet esenciale në gjykata të cilat bazuar në Ligjin për Greva, duhet të kryhen edhe gjatë mbajtjes së grevës.

Pas këtij diskutimi kryetarët e gjykatave kanë shprehur gatishmërinë që sipas kërkesës së KGJK-së, të kenë koordinim dhe komunikim pro aktiv me përfaqësues të grevistëve me qëllim që të kryhen punët dhe shërbimet esenciale në çdo gjykatë.

Ndryshe, më 2 mars brenda një kohë të shkurtër pritet të ndërrohet ritmi i lëndëve të trajtuara nga gjykatat me ato që pranojnë.

Kështu ka deklaruar Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), duke thënë se “shumë shpejtë do të ketë më shumë lëndë civile të kryera, sesa të pranuara”.

“Do të kemi 30 gjyqtarë në civile prej sot”, ka deklaruar Zogaj për Betimi për Drejtësi.

Në këto rrethana, kryesuesi i KGJK-së tha se së shpejti do të ketë më shumë lëndë të kryera, sesa të pranuara.

Ai deklaroi se deri në fund të këtij viti, në Gjykatën e Apelit kohëzgjatja e lëndëve nuk do të jetë më 5 vite por 2 vite, përderisa deri në fund të vitit të ardhshëm tha se kohëzgjatja do të jetë 1 vit maksimumi.

Kurse, në Gjykatën Supreme tha se pas tre muajve nuk do të ketë asnjë çështje në pritje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore