Kosova

Zogaj: “Nga një mijë lëndë do të kryhen brenda muajit në Gjykata”


Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Brenda një kohë të shkurtër pritet të ndërrohet ritmi i lëndëve të trajtuara nga gjykatat me ato që pranojnë.

Kështu ka deklaruar Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), duke thënë se “shumë shpejtë do të ketë më shumë lëndë civile të kryera, sesa të pranuara”.

“Do të kemi 30 gjyqtarë në civile prej sot”, ka deklaruar Zogaj për Betimi për Drejtësi.

“Është një lajm i jashtëzakonshëm për drejtësinë, për shkak se me sistemin SMIL do të kemi 30 panele në civile që do të punojnë dhe potenciali i këtyre 30 paneleve do të jetë diku rreth 1 mijë lëndë në civile të kryme brenda muajit, kur shikohet kështu si potencial”, ka thënë Zogaj, duke bërë të ditur se sot në civile kanë filluar punën 3 gjyqtarë të rinj në Gjykatën Supreme dhe 11 të tjerë në atë të Apelit.

Në këto rrethana, kryesuesi i KGJK-së tha se së shpejti do të ketë më shumë lëndë të kryera, sesa të pranuara.

Ai deklaroi se deri në fund të këtij viti, në Gjykatën e Apelit kohëzgjatja e lëndëve nuk do të jetë më 5 vite por 2 vite, përderisa deri në fund të vitit të ardhshëm tha se kohëzgjatja do të jetë 1 vit maksimumi.

Kurse, në Gjykatën Supreme tha se pas tre muajve nuk do të ketë asnjë çështje në pritje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore