Shqipëria

“Zjarret nën kontroll, ndihmat priten të vijnë”


Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, përmes një deklarate për mediat, ka bërë me dije se sot, më 4 gusht, do të mbërrijë një ekip monitorimi nga Holanda, për ta ndihmuar vendin tonë me situatën e zjarreve.

Më tej, ai ka vlerësuar ndihmën që ka dhënë shteti holandez, duke u përgjigjur pozitivisht për të asistuar me një ekip dhe katër helikopter në Shqipëri, e cila për dhjetë ditë është kapluar nga zjarret.

“Holanda është treguar bujare. Sot pritet të vijë një ekip për të parë situatën nga afër dhe, më pas, për të vendosur sa ndihmë duhet nga ky shtet”.

Gjithashtu Peleshi ka njoftuar se edhe ambasadori i Ukrainës në vendin tonë, Volodymyr Shkurov, është treguar i gatshëm për të ndihmuar.

Peleshi theksoi se kanë kërkuar ndihmë nga Emergjencat Evropiane dhe shtetet e tjera, si Turqia, Italia dhe Çekia.

Në vijim të fjalës, ministri bëri dhe një përmbledhje të situatës me vatrat e zjarreve në Shqipëri.

“Gjatë orëve të vona të natës”, tha ai, “është rrezikuar baza ushtarake e Pashalimanit për shkak të një zjarri të rindezur në mesnatë”.

Ndonëse zjarri afër zonës është vënë nën kontroll rreth orës 20:00 mbrëmjen e djeshme, ka sqaruar Peleshi, “ka rifilluar sërish në orët e para të mëngjesit”.

Sipas ministrit, nga informacionet e ekspertëve mësohet se është zjarrvënie e qëllimshme, duhet ndërgjegjësim nga qytetarët.

Shuhen vatrat e zjarrit në Gjirokastër

Falë punës dhe me sakrifica të Forcave të Armatosura, forcave zjarrfikëse dhe forcave të tjera të Bashkisë Gjirokastër, vatrat e zjarrit janë eliminuar, gjatë orëve të para të 4 gushtit.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes një njoftimi në median sociale Facebook, mëngjesin e 4 gushtit.

“Dielli lind përsëri në Gjirokastër”, shkruante ai, ndërsa kërkonte dhe bashkëpunimin komunitar për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm.

Ndër të tjera, ministri ka shtuar se vigjilenca ndaj zjarreve do të vazhdojë.

Pasditja e 3 gushtit qe dita e një raportimi të atillë, ku në fshatin Asim Zeneli humbi jetën një i moshuar dhe mbetën të asfiksuar 10 banorë të tjerë.

Ky rëndim i situatës çoi drejt evakuimit të banorëve në këtë fshat, po ashtu edhe në tjetrin, Arshi Lëngo.

Gjithashtu u mësua se një tjetër vatër e rrezikshme zjarri ishte shfaqur në Njësinë Administrative Lunxhëri-Antigone në Bashkinë Gjirokastër.

Si pasojë e erës, situata është përkeqësuar, duke shkuar shumë pranë banesave.

Për të rehabilituar gjendjen, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe ato të Forcave të Armatosura kanë bashkuar forcat.

Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar situatën e zjarreve në Shqipëri, mbrëmjen e 3 gushtit.

Sipas njoftimit, në Gadishullin e Karaburunit, ndodhen 521 forca ushtarake dhe 50 mjete në vendngjarje.

Ndërsa një vatër zjarri është zhvilluar në Himarë, rreth orës 11:00, ku 15 efektivë të Bashkisë Himarë po e mbajnë nën kontroll situatën.

Po ashtu, në Qarkun e Shkodrës, zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme në fshatin Cukal. Deri tani janë djegur 10 ha kullotë, ndërsa situata është në monitorim.

Në Bashkinë Gjirokastër, sipas njoftimit, zjarri mori përmasa të mëdha, duke rrezikuar fshatin Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo. Në këtë zonë është raportuar një humbje jete dhe një e plagosur.

Të angazhuar janë punonjës të forcave zjarrfikëse, Policia Shtetit, Forca të emergjencave civile, Forca të Armatosura,  urgjenca mjekësore me 5 autoambulanca. Po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri me helikopterë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore