Lajme

Zjarret në Maqedoninë e Veriut, Qeveria shpall gjendjen e jashtëzakonshme


Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për 30 ditët e ardhshme, për shkak të situatës me zjarret.

Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri i MV-së, Artan Grubi

Grubi, gjatë deklaratës së tij, tha se ai drejtoi seancën e Qeverisë, në të cilën u pranua propozimi i Komitetit Drejtues për shpalljen e një gjendje krize në të gjithë vendin.

Ai theksoi se, edhe vendet e tjera në Evropë në këtë periudhë po përballen me zjarre për shkak të temperaturave të larta.

Në fjalimin e tij Grubi u shpreh optimist, dhe iu bëri thirrje qytetarëve të mos e humbin shpresën.

“Përpiqemi të merremi me zjarret duke mobilizuar plotësisht kapacitetet tona. Konsiderojmë se ky vendim, së bashku me ndalimin e lëvizjes në pyje, do të ndihmojë në shuarjen e zjarreve. Pothuajse 80% e zjarreve janë shkaktuar nga faktori njeri”, tha Grubi.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara më 4 gusht nga drejtori i QMK -së, Stojançe Angellov, në vend janë 10 zjarre aktive, ndërsa situata më serioze është në Komunën Brodit, si dhe në rajonin e Pehçevës dhe Dellçevës.

Në shuarjen e zjarreve janë angazhuar të gjitha kapacitetet në dispozicion – vetëqeverisjet lokale, Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), ushtria, policia dhe qytetarët.

Ndihmë mbërriti edhe nga fqinjët, Serbia dhe Bullgaria, kurse sot priten përforcime nga Sllovenia – 16 kamionë zjarrfikës dhe 46 zjarrfikës.

Shkaktimi i  zjarreve qëllimisht në Maqedoninë e Veriut apo pa vetëdije, llogaritet vepër penale e cila dënohet me parashtresa të caktuara, me tetë vite burg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore