Lajme

Zjarret në bjeshkët e Rugovës – kërkohet të mos shkojnë vizitorët


Zjarri në Bjeshkët e Rugovës

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka apeluar që të mos vizitohet fshati Shtupeq i Madh, nga Qafa e Brodiqit derisa gjendja me vatrat e zjarrit të vihet nën kontroll.

“Zjarri ende nuk është shuar tërësisht, prandaj lusim qytetarët mos ta frekuentojnë këtë zonë të Bjeshkëve të Rugovës (Shtupeq i Madh, nga Qafa e Brodiqit) përveç zyrtarët e institucioneve kompetente”, ka shkruar Muhaxheri në Facebook.

Ai ka thënë se gjendja është duke u monitoruar nga organet kompetente.

“Situata me zjarret në vend, ashtu siç po ndodh edhe në shtete të tjera të botës për shkak të temperaturave të larta po vazhdon. Gjendja me zjarret po monitorohet nga ekipet e zjarrfikësve, FSK-së, Policia e Kosovës dhe me njësinë e helikopterëve të KFOR-it”.

Peja është rajoni më i prekur nga vatrat e zjarrit, ndërkohë që vatra të zjarrit janë hapur në zonën e Rugovës, ndërsa sipas banorëve atje, këtë herë flakët janë në afërsi të shtëpive.

Blerta Nikiqi, nga ky fshat ka thënë për Albanian Post, se po ndihen të rrezikuar nga zjarri, pasi ende zjarrfikësit nuk kanë arritur në vendin e ngjarjes.

“Sot nga ora 12:00 është përhapur në pjesën e fshatit zjarri afër shtëpive tona, në pjesën tonë nuk ka zjarrfikës. Janë dy vatra të zjarrit, njëra në pjesën malore e tjetra në pjesën ku janë shtëpitë”, tha Nikqi.

Zëdhënësi i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Nehat Koqinaj, ka deklaruar për Albanian Post se për momentin janë katër vatra të zjarrit në Kosovë.

“Vatrat e zjarrit janë në rajonin e Suharekës, të Prizrenit, në Parkun Nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe në Janjevë dhe komuna e Lipjanit”, potencon Koqinaj.

Kurse, Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën ka arrestuar një person 67 vjeç, në fshatin Gojbulë në Komunën e Vushtrrisë, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm- zjarrvënie.

“Zyrtarët policorë gjatë veprimeve hetimore kanë arritur të identifikojnë pronarin i cili në këtë rast ka vet shkaktuar ndezjen e hamullores në arën e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve dhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin”, thuhet në një komunikatë për media të Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e njësive të zjarrit, policisë dhe KFOR-it , pandërprerë janë në terren dhe marrin pjesë në lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.

Gjithashtu policia ka shtuar se vazhdimisht janë në detyrë edhe në lokalitete në të cilët janë shuar zjarret apo janë nën kontroll për veprime parandaluese edhe në parandalimin e rasteve te reja.

Komunat të cilat janë përfshirë nga zjarri janë disa fshatra në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë.

Po ashtu, vatra të reja të zjarrit  janë identifikuar edhe në komunën e Gjakovës, Malishevës, dhe Suharekës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore