Lajme

Ziadeh në OKB: Asociacioni të themelohet pa vonesa dhe parakushte


Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, gjatë raportimit të saj për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka thënë se dështimi në arritjen e një kompromisi politik do të vazhdojë që të ndikojë negativisht në mirëqenën e qytetarëve, derisa ka kërkuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet pa vonesa.

“Të dyja palët t’i implementojnë marrëveshjet e arritura në dialog dhe të punojnë në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa vonesa dhe parakushte”, tha ajo.

“Rezultati i takimeve të lehtësuara të nga BE-ja dhe ShBA-ja në Prishtinë dhe Beograd më 21 tetor, do vendos dialogun në një rrugëtim të drejt me zotimin e fuqishëm që të dyja palët për të implementuar masa de-eskaluese”.

Ziadeh përmendi edhe sulmin terrorist në Banjë më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

“Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për t’i mbajtur autorët përgjegjës”.

“Masat de-eskaluese janë kritike për të ulur tensionet dhe në këtë drejtim, derisa shfaqi shpresën se me ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë dialogu do të marrë rrugëtimin të drejt”.

Ajo ka theksuar se vonesa në implementimin e marrëveshjeve të dialogut ka quar në shtyrjen e një konference të donatorëve të BE-së të paraparë në aneksin e implementimit që do mund të tërhiqte mbështetje ekonomike dhe mundësi investimesh.

Që nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.

Në vitin 2019 janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore