Lajme

Ziadeh kërkon nga Serbia të bëhen hapat e nevojshëm drejt themelimit të Asociacionit


Caroline Ziadeh, Petar Petkoviç dhe Ivica Daçiç.

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe udhëheqësja e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh, ka kërkuar nga drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, të bëjnë hapat e nevojshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Takimet janë bërë të ditura përmes një komunikate dërguar mediave nga zyra e UNMIK-ut, gjatë qëndrimit të saj në Beograd.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve përfshin përpjekjet që po ndërmerren për zgjidhjen e çështjes së monedhës në zonat me Shumicë Serbe të Kosovës, perspektivat për zgjedhje të reja lokale në komunat veriore të Kosovës dhe hapat e nevojshëm drejt themelimit të Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe”.

Palët kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke kërkuar angazhim në këtë drejtim.

“Ziadeh theksoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve me mirëbesim për të gjetur zgjidhje kompromisi në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Në komunikatë thuhet se diskutimet mbuluan gjithashtu një sërë çështjesh për forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.

Kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Ziadeh e kishte bërë edhe më 23 tetor në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ajo kishte thënë se dështimi në arritjen e një kompromisi politik do të vazhdojë që të ndikojë negativisht në mirëqenën e qytetarëve.

Duke theksuar se vonesa në implementimin e marrëveshjeve të dialogut ka quar në shtyrjen e një konference të donatorëve të BE-së të paraparë në aneksin e implementimit që do mund të tërhiqte mbështetje ekonomike dhe mundësi investimesh.

Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta ketë në preambulë të Kushtetutës si pjesë të territorit të saj.

Dy vendet janë të angazhuara në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, por dhjetëra marrëveshjet e arritura mes tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

Bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë ndaj Kosovës për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa nga Serbia kërkon që ta njohë de facto Kosovën.

Të dyja këto i parasheh Marrëveshja e Ohrit, për të cilën palët janë dakorduar gojarisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore