Lajme

Zhdukja e studentëve meksikanë ishte një krim i nxitur nga shteti, thotë komisioni


Në Meksikë, zhdukja e 43 studentëve pasi u zunë pritë nga oficerët e policisë në vitin 2014 ishte një krim i nxitur nga shteti që përfshinte autoritetet federale dhe shtetërore në nivelet më të larta të qeverisë.

Kështu ka rezultuar nga një raport përfundimtar i një komisioni qeveritar të së vërtetës.

I krijuar nga administrata aktuale, komisioni konfirmoi se qeveria federale, duke përfshirë ushtrinë dhe policinë federale meksikane, ishin në dijeni të lëvizjeve të studentëve.

Një dijeni që nga koha kur ata u larguan nga kampusi i shkollës së tyre rurale në shtetin e Guerrero deri në mbërritjen e tyre në qytetin Iguala ku u rrëmbyen natën e 24 shtatorit.

Më pas, zyrtarët lokalë të zbatimit të ligjit punuan në bashkëpunim me një grup të madh personash të armatosur të kartelit dhe vëzhgues për të zhdukur me forcë studentët.

“Nuk ka asnjë provë që ata janë gjallë”, ka thënë zëvendësdrejtori i Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Meksikës, Alejandro Encinas.

“Përkundrazi, të gjitha dëshmitë dhe provat sugjerojnë se ata u vranë me dinakëri dhe u zhdukën”, ka shtuar ai.

Sakaq, raporti bazohet në më shumë se 41 mijë dokumente – duke përfshirë transkriptet e telefonatave, mesazhet me tekst dhe raportet – si dhe 50 video që tregojnë torturimin e të burgosurve në këtë rast.

Presidenti Andrés Manuel López Obrador u premtoi familjeve të studentëve të zhdukur se çdo agjenci qeveritare që i përgjigjet degës ekzekutive do të bashkëpunonte me komisionin për të “arritur tek e vërteta” e çështjes.

Dhe ai premtoi se nuk do të kishte pandëshkueshmëri.

Rasti tronditi vendin edhe pse qeveria meksikane u përpoq të mbulonte krimin, duke këmbëngulur se vetëm autoritetet lokale dhe anëtarët e kartelit ishin përgjegjës për krimin.

Deri më sot, eshtrat e vetëm tre prej 43 studentëve janë identifikuar.

Ushtria meksikane ka një kazermë vetëm pesë minuta nga vendi ku studentët u sulmuan, por sekretari i atëhershëm i mbrojtjes fillimisht pretendoi se trupat nuk ishin në rrugët e Iguala natën e sulmit.

Por komisioni zbuloi se ushtria po monitoronte nga afër studentët dhe nuk lëvizi për t’i shpëtuar ata nga oficerët e policisë lokale që ndihmuan në zhdukjen e tyre.

Po ashtu konfirmoi se një ushtar ishte infiltruar në grupin e studentëve dhe ishte në autobusët që kishin përdorur për të udhëtuar në qytet.

Ushtari, konfirmoi komisioni, mbetet i zhdukur bashkë me shumicën e studentëve.

Komisioni konfirmoi gjithashtu se studentët nuk u dërguan kurrë në një vendgrumbullim të mbetjeve aty pranë, siç kishte pretenduar administrata e mëparshme.

Ekspertët e zjarrfikësve dhe mjekësisë ligjore, të sjellë nga familjet e studentëve, e kishin hedhur poshtë teorinë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore