Lajme

Zgjidhet misteri i një studenti të zhdukur para 45 vitesh në Alabama


Zyrtarët amerikanë besojnë se gjetjet e zbuluara në një makinë në fund të një përroi në Alabama ka zgjidhur misterin e një studenti që u zhduk 45 vjet më parë.

Kyle Wade Clinkscales u largua në vitin 1976 nga LaGrange, Georgia, për t’u kthyer me makinë në Auburn në Alabama, por nuk arriti kurrë.

Mirëpo, zhdukja e 22-vjeçarit dhe makinës së tij Pinto nuk është zbardhur kurrë, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Ndërkohë, makina u pa e zhytur në përrua dhe, pasi u nxor jashtë, hetuesit konfirmuan se makina i përkiste Clinkscales.

Në të u gjetën eshtra njerëzore së bashku me kartat e identifikimit dhe kreditit që i përkisnin njeriut të zhdukur, ka treguar në një konferencë shtypi sherifi i qarkut, Troup James Woodruff.

“Për 45 vjet, e kemi kërkuar këtë djalë të ri dhe e kemi kërkuar këtë makinë. Kemi drenazhuar liqene, kemi parë këtu dhe atje, kemi hedhur poshtë këtë dhe atë teori… dhe në fund nuk rezultonte asgjë”, ka thënë ai.

Megjithatë, tanimë po zhvillohen teste për të konfirmuar atë që besohet.

Më parë, policia ka deklaruar se besonte që studenti ishte vrarë.

Në vitin 2005, dy persona u arrestuan për deklarata të rreme, pasi prindërit e të zhdukurit morën një telefonatë nga dikush që pretendonte se kishin parë njerëz që largonin djalin e tyre në kohën e zhdukjes.

Por policia ende ka shpresë për të zgjidhur misterin e vdekjes së tij.

Clinkscales ishte një fëmijë i vetëm.

Babai i tij ndërroi jetë në vitin 2007, ndërsa nëna këtë vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore