Shqipëria

Zgjidhet kreu i ri i Këshillit të Prokurorisë


Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) kanë zgjedhur me 10 vota Alfred Ballën në krye të këtij institucioni.

Deri më tani ka mbajtur pozicionin e zëvendëskryetarit të KLP-së, që është institucioni më i lartë në Sistemin e Drejtësisë për prokurorët.

Ai ishte kandidati i vetëm për këtë zgjedhje.

Balla është zgjedhur nga Kuvendi, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë si përfaqësues i Shoqërisë Civile.

Në fjalën e prezantimit të platformës, Balla ka nënvizuar se ka qenë pjesë aktive e rrugëtimit të Këshillit në konsolidimin e tij, si një institucion i ri i krijuar në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Gjithashtu, ai tha se “gjatë këtyre tre viteve të funksionimit të Këshillit, mund të pohojmë bindshëm që karriera dhe statusi i magjistratëve prokurorë zhvillohet pa u ndikuar nga politika apo fenomenet e korrupsionit, por vetëm nga integriteti dhe merita profesionale”.

Në vijim, ai bëri me dije se “jam pjesë e këtij Këshilli që nga dita 1 (një) e krijimit të tij, për çka ndihem i privilegjuar. Kam dhënë kontributin tim personal në ngritjen e Këshillit dhe implementimin në mënyrë efiçente të legjislacionit të ri”.

Duke përmbyllur deklaratën, ai tha se “ky legjislacion ka mundësuar izolimin e fenomeneve negative dhe rritjen e besimit të publikut dhe të vet magjistratëve, nëpërmjet vendimmarrjeve tona transparente, ku tipari kryesor që i ka shoqëruar ato, ka qenë drejtësia dhe meritokracia”.

Kush është Alfred Balla?

Alfred Balla do t’i përfundonte studimet e larta për drejtësi në vitin 1991, pranë “Universitetit të Tiranës”.

Në vitin 2012, në Universitetin “Justiniani I-rë”, do të përmbyllte studimet pasuniversitare, master shkencor në të drejtën penale.

Nga viti 2020, Balla mban titullin Doktor i Shkencave Juridike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore