Lajme

Zgjedhjet në Veri, policia dhe zyrtarët komunalë paraqitën në zyra


Zgjedhjet ne Veri.

Policia e Kosovës së bashku me zyrtarët komunalë të zgjedhjeve në katër komunat në Veri, të martën do të shkojnë në zyrat komunale.

Këtë e ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e të hënës ku është thënë se akoma nuk është pranuar një plan operativ nga Policia e Kosovës.

“Sot jemi takuar me policinë dhe plani është që zyrtarët tanë së bashku me policinë të shkojnë nëpër zyrat tona komunale të veriut. Planin operacional për këtë aktivitet e bën policia së bashku me sekretariatin dhe mbetet të shihet se sa kemi pasur mundësi që të kemi qasje në zyrat tona dhe sa do të kemi qasje në vendvotime në veri edhe mbetet të shihet në ditëve në vijim”, ka deklaruar kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka treguar hapat të cilat kanë ndërmarrë për të ofruar siguri për zyrtarët komunal për zgjedhjet e 18 dhjetorit në katër komunat veriore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

“Me qëllim të funksionalizimit të këtyre zyrave, ashtu siç është dakorduar KQZ në mbledhje, i kemi dërguar shkresën Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, si dhe Ministrisë së Arsimit, prej të cilave kemi kërkuar vlerësimin e situatës dhe ofrimin e sigurisë për zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe katër komisioneve komunale të zgjedhjeve në secilën prej tyre”.

“Funksionalizimi i komisioneve komunale zgjedhore është i domosdoshëm në kuadër të përgatitjeve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, sepse këto komisione kryejnë disa detyra të rëndësishme të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka thënë Ahmetaj.

Zyrat e KQZ-së në Veri vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të sigurisë  dhe zyrtarët po kryejnë detyrat e tyre nga komunat ku veprojnë.

KQZ-ja në mbledhjen e 24 nëntorit theksoi se gjithsej 14 parti politike përfshirë edhe Listën Serbe, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Më 9 nëntor, pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, gjykatësve dhe prokurorëve serbë, dorëheqjet e tyre kishin dorëzuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore