Lajme

Zgjedhjet në Japoni: Fitorja e partisë në pushtet heq presionin për shpenzime më të mëdha


Kryeministri i Japonisë dhe kreu i Partisë Liberale Demokratike (LDP) në pushtet Fumio Kishida

Zgjedhjet parlamentare në Japoni kanë rezultuar me fitoren solide të partisë në pushtet.

Kjo ka të ngjarë të heqë presionin nga kryeministri Fumio Kishida, për të miratuar një paketë të madhe stimulimi për lehtësimin e pandemisë.

Për rrjedhojë do të lehtësojë frikën e tregut për emetimin masiv të detyrimeve.

Kishida është zotuar të përpilojë një paketë të re stimuluese me vlerë “disa dhjetëra trilion jen – monedha japoneze” për të zbutur goditjen ekonomike nga kriza e COVID-19.

Por, deri më tani, ka ofruar pak detaje, duke përfshirë madhësinë e saktë të shpenzimeve dhe mënyrën e pagesës për të.

Gjatë fushatës elektorale, ai kundërshtoi thirrjet e opozitës për shpenzime edhe më të mëdha dhe ulje të taksës së shitjes.

Kryeministri i Japonisë dhe udhëheqësi i Partisë Liberale Demokratike në pushtet, Fumio Kishida, i dyti majtas, dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe një anëtar i lartë i partisë, Sanae Takaichi, duke vendosur një rozetë në emrin e saj pasi fituan një vend në parlamentin e dhomës së ulët, në selinë e partisë në Tokio, e diel 31 tetor 2021.

Sipas tij, Japonia nuk duhet të harrojë nevojën për të frenuar borxhin e saj të madh publik. Kjo e fundit është rritur në dyfishin e madhësisë së ekonomisë së saj.

Me Partinë e tij Liberale Demokratike (LDP), që ka ruajtur shumicën e saj njëpartiake në dhomën e ulët të fuqishme, Kishida do të përballet me më pak presion për t’iu vënë veshin thirrjeve të tilla.

Sipas analistëve, përveç saj, fitorja e së dielës do të thotë dhe më pak presion nga një propozim nga partneri i koalicionit Komeito për pagesa të përgjithshme në para për familjet me fëmijë nën 18 vjeç.

Fituesi i madh në opozitë ishte Partia e Inovacionit të Japonisë, e cila doli e treta në dhomën e ulët pas LDP-së dhe Partisë Demokratike Kushtetuese të Japonisë në opozitë me thirrje për më shumë fokus.

Kryeministri i Japonisë dhe lideri i Partisë Liberale Demokratike në pushtet, Fumio Kishida, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet kombëtare të 31 tetorit në Tokio, e martë, 26 tetor 2021.

Në një konferencë shtypi të hënën, Kishida tha se do të përpilojë paketën stimuluese në mes të nëntorit, me synimin të kalojë një buxhet shtesë nga Parlamenti deri në fund të këtij viti.

Tregjet kanë vlerësuar përafërsisht 30 trilionë jen si një madhësi e vogël e paketës, e cila mund të çojë në emetimin e borxhit të ri, por jo mjaftueshëm për të tronditur tregjet financiare.

Kishida shpreson të dorëzojë paketën në kohë për të mbështetur një ekonomi, që po përpiqet të dalë nga rënia e shkaktuar nga pandemia.

Ndërsa kufizimet e gjendjes së jashtëzakonshme u hoqën më 30 shtator, konsumi ende nuk është rritur.

Kufizimet e furnizimit dhe rritja e kostove të inputeve kanë ndërprerë prodhimin e fabrikës, duke rënduar mbi ekonominë e varur nga eksporti.

Ligjvënësit dëgjojnë njoftimin për shpërbërjen e dhomës së ulët të enjten, 14 tetor 2021, në Tokio. Kryeministri i ri i Japonisë, Fumio Kishida, shpërndau dhomën e ulët të Parlamentit të enjten, duke hapur rrugën për zgjedhjet kombëtare të 31 tetorit.

Në zgjedhjet e së dielës disa drejtues të LDP-së humbën vendet. Kjo përfshinte sekretarin e Përgjithshëm, Akira Amari, i cili është ndër organizatorët e strategjisë së rritjes së Kishida-s dhe një shtytës i fokusimit të partisë në sigurinë ekonomike.

Ndërsa Amari ende fitoi përfaqësimin proporcional, mediat vendase kanë raportuar se ai do të tërhiqej nga posti i partisë.

Kishida u emërua si kryeministër i Japonisë në fillimit të muajit tetor– i 100-ti në historinë e Parlamentit japonez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore