Lajme

Fumio Kishida, kryeministri i 100-të i Japonisë


Fumio Kishida u emërua të hënën e 4 tetorit si kryeministër i Japonisë – i 100-ti në historinë e parlamentit japonez.

Pas zgjedhjes së tij, mediat raportojnë se do të pasohet nga një përbërje e re e kabinetit.

Kishida kërkon të ringjallë mbështetjen për partinë e tij në pushtet përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Partia Liberale Demokratike (LDP) në pushtet përdori shumicën e saj për të zgjedhur zyrtarisht Kishidën.

I sapo-zgjedhuri, i cili do të jetë kryeministri i dytë brenda vitit, po kërkon të mbajë zgjedhje kombëtare më 31 tetor, thanë të hënën transmetuesi publik kombëtar NHK dhe Kyodo News.

Pasi u zotua të emërojë ligjvënës të rinj, ai do të largojë ministrin 81-vjeçar të Financave, Taro Aso nga posti i tij, duke e zëvendësuar atë me ish-ministrin e Olimpiadës, Shunichi Suzuki, 68 vjeç.

Kishida fitoi garën e lidershipit të LDP-së javën e kaluar, duke mposhtur tre kundërshtarë.

Ekipi i ri do të duhet të ndihmojë në ringjalljen e ekonomisë së goditur nga pandemia pasi të dalë nga gjendja e jashtëzakonshme.

Gjithashtu qeveria e re japoneze duhet të balancojë lidhjet midis Kinës, partnerit më të madh tregtar të vendit dhe Shteteve të Bashkuara, aleatit të saj të vetëm të traktatit.

Kishida është zotuar se do të krijojë një pozicion për një ministër të sigurisë ekonomike, pasi vendi kërkon të forcojë industrinë e tij të gjysmëpërçuesve, mes mungesave në mbarë botën.

Ai gjithashtu u zotua të përqendrohet në forcimin e klasave të mesme duke rritur të ardhurat.

LDP, e dominuar nga meshkujt, ka luftuar për vite me barazinë gjinore dhe Kishida do të emërojë tri gra në kabinetin e tij të ri-që pritet të jenë 20 anëtarë.

Një pengesë për emërimin e më shumë grave si ministre është mungesa e kandidatëve femra në parti në tërësi.

Rreth 10% e ligjvënësve të dhomës së ulët janë gra, ndërsa midis përfaqësuesve të LDP-së, kjo shifër është më pak se 8%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore