Lajme

Zgjedhjet në Francë: Rritet “hendeku” midis Macron dhe Le Pen


Tre sondazhe në lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve në Francë janë më inkurajuese për presidentin aktual Emmanuel Macron.

Pozicioni i tij është përmirësuar, me një mesatare prej 55.83 për qind të të anketuarve, të cilët do të votojnë për Macron-in.

Lajmin e bëri të ditur agjencia me seli në Londër, “Reuters”.

Krahasuar me sondazhet e javës së kaluar, presidenti francez është rritur me tre pikë nga mesatarja e pesë sondazheve që çuan në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Sipas një sondazhi të Ipsos, Macron po fiton 56.5 për qind të votave.

Opinionway dhe Ifop tregojnë rezultate pak më të ulëta – respektivisht 56 për qind dhe 55 për qind.

Megjithatë, është ende herët për të pretenduar fitoren, thotë kryeministri francez Jean Castex.

Lufta kryesore tani është për votat e Jean-Luc Mélenchon, kandidatit presidencial, i cili doli i treti në raundin e parë të zgjedhjeve me 22 për qind mbështetje.

Partia e Melenchon-it dhe vetë ai nuk dhanë asnjë rekomandim të drejtpërdrejtë për votimet e raundit të dytë.

Nga ana tjetër, ai synon të përqendrojë përpjekjet e tij në zgjedhjet legjislative franceze këtë verë për t’u bërë kryeministër.

Mes votuesve të Mélenchon-it, sipas një sondazhi të Elabe-s, 42 për qind tani janë gati të votojnë për Macron – 7 për qind më shumë se javën e kaluar.

Më 24 prill, do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore