Shqipëria

Zgjedhjet e 6 marsit – PD depoziton në KQZ kandidatët për 6 bashkitë


Partia Demokratike (PD), mbrëmjen e 9 shkurtit, ka depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale.

Do të jetë kandidati Indrit Sefa që do të garojë për Bashkinë e Lushnjës, në zgjedhjet e 6 marsit. Në Durrës, nga radhët e demokratëve, do të jetë Luan Hoti që do të garojë bashkë me tre kandidatët e tjerë.

Kurse, për drejtimin e Bashkisë së Shkodrës, do të garojë Xhemal Bushati, propozuar kështu nga PD-ja zyrtare.

Po këtë të mërkurë, edhe koalicioni “Shtëpia e Lirisë” ka dërguar, në KQZ, emrat e kandidatëve të saj.

Edhe pse KQZ nuk e regjistroi nismën e Sali Berishës në zgjedhjet e 6 marsit- pasi logot dhe simboli me të cilët përfaqësohet, i përkasin Partisë Demokratike (PD)- kandidatët e Komisionit të Rithemelimit do të kandidojnë si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).

Më herët, Celibashi ka njoftuar se janë regjistruar zyrtarisht 11 subjekteve partiake në garën për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.

Përkatësisht regjistrohen partitë kryesore – Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Si dhe partitë e vogla – Partia Demokristiane, Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë, Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar.

Më 31 janar LSI-ja dhe PDK-ja firmosën koalicionin për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit me Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit të PD-së, nën logon “Shtëpia e Lirisë”.

Ndërsa më 1 shkurt, LSI-ja ka paraqitur KQZ-së, kërkesën për regjistrimin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi datën 6 mars si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.

Gjashtë janë bashkitë ku do të garohet nga partitë – Durrës, Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore