Lajme

Zemaj: Kurti përgjegjës për rastin e foshnjës në Spitalin e Pejës


Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kërkuar dënimin dhe shkarkimin e të gjithë personave që janë përfshirë në ngjarjen që ndodhi në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ku një foshnje e porsalindur pa shenja jete është futur bashkë me çarçafë në një lavatriçe.

Sipas Zemaj, ky rast tregon për paaftësinë e ekzekutivit për të menaxhuar me sektorin e shëndetësisë.

“Rasti i supozuar i ka kaluar të gjitha masat. Duhet të shkarkohen dhe të dënohen të gjithë ata që janë të përfshirë në rast si dhe ata që e kanë fshehur, akoma më keq ky rast është munduar që të mbahen i fshehur nga pushteti për tetë ditë me radhë”.

“Se paaftësia e qeverisjes në shëndetësi e kemi thënë gjithmonë, mirëpo rasti i foshnjës shkon përtej. Jo shumë ditë nga sot u vra edhe një nënë, që shkoi për të lindur”, ka thënë Zemaj në konferencë për media.

Ai tutje ka thënë se 300 mjekë e kanë lëshuar vendin këto 2 vjet dhe vetëm një përqindje shumë e ulët është shfrytëzuar për shëndetësi.

“Përgjegjës është Kurti si i vetëemëruar, ministër i Shëndetësisë. Dorëheqje morale atyre që nuk janë drejtpërdrejtë. Kemi më shumë se 300 mjekë që kanë ikur në këto 2 vite. Vetëm 5% e buxhetit për investime kapitale është shfrytëzuar në shëndetësi”.

Spitali i Përgjithshëm i Pejës.

“Ky sektor ka arritur kulmin e dëmtimit”.

Zemaj kërkoi që pas këtij dështimi kryeministri së paku ta emëroj një ministër të shëndetësisë.

Edhe, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), ka reaguar ndaj ngjarjes në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ku një foshnje e porsalindur pa shenja jete është futur bashkë me çarçafë në një lavatriçe.

Përmes një komunikate për media nga kjo shoqatë është thënë se nga ky rast është shpërfaqur edhe një herë papërgjegjësia e një pjesë të stafit shëndetësore.

Kurse sistemin shëndetësor në Kosovë e kanë quajtur “sistem të brishtë”.

Spitali i Pejës përmes një komunikate për media njoftoi se shtatë punonjës të Spitalit janë suspenduar.

“Menjëherë me të ndodhur rasti organet e hetuesisë në njëren anë dhe paralelisht organet menaxheriale të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë janë duke bërë hetime të detajuara lidhur me këtë rast”, thuhet mestjerash.

Gjithashtu, është bërë e ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e 13 dhjetorit në Repartin e Gjinekologjisë, për rastin ishin njoftuar edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë.

Nga dy institucionet kryesore të shëndetësisë akoma nuk ka pasur asnjë sqarim lidhur me rastin.

Po dyshohet se në Spitalin e Pejës e kanë futur një foshnje në lavatriçe – Prokuroria dhe Policia konfirmojnë hetimet për Albanian Post

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore