Lajme

Zelenska refuzon ftesën e Biden-it, do të ulej pranë të vesë së Navalny-t


Olena Zelenska, Zonja e Parë e Ukrainës, ka refuzuar një ftesë për të marrë pjesë në fjalimin e presidentit amerikan Joe Biden në Kongres të enjten, më 7 mars.

Kjo pasi ajo pritej të ulej pranë të vesë së liderit të opozitës ruse Alexei Navalny-t, Yulia-s.

Plani i Shtëpisë së Bardhë ishte të ulte Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jill Biden pranë Olena Zelenska-s dhe Yulia Navalnaya-s.

“Imazhi i të dyja grave, secila një simbol i rezistencës ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, do të ofronte një sfond të fuqishëm për fjalimin e Presidentit Biden në një sesion të përbashkët të Kongresit”, shkruhet në raportimin e The Washington Post.

Megjithatë, prania e mundshme e Navalnaya-s shkaktoi shqetësim për Zelenska-n, pjesërisht për shkak të pozicionit të politikanit të ndjerë për përkatësinë e Krimesë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se vendimi i Zelenska-s ka të ngjarë për shkak të “problemeve të orarit” dhe i referoi pyetje të tjera zyrës së Zonjës së Parë, e cila nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Navalnaya ka refuzuar po ashtu të marrë pjesë në fjalimin e Biden-it, gjoja sepse ajo ndihej e lodhur.

Sipas një zyrtari amerikan, Shtëpia e Bardhë ndoshta nuk e informoi Kievin se Navalnaya kishte vendosur të mos merrte pjesë në ngjarje.

Një arsye tjetër e mundshme për refuzimin e Zonjës së Parë të Ukrainës është dëshira e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të shmangur politizimin e çështjes së ofrimit të ndihmës për Ukrainën dhe prishjen e marrëdhënieve me Partinë Republikane.

Në fjalimin e tij të enjten, më 7 mars, Presidenti Biden pritet t’u bëjë thirrje republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve që të kalojnë fondet për Ukrainën “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore