Lajme

Zëdhënësi i Qeverisë del në TV me teori të fallxhoreve: “Pse u arrestua Nagip Krasniqi bash në ditën e liberalizimit të vizave, hajt pse – shumë interesant është kjo”


Perparim Kryeziu

Në epokën e evolumit të metodave shkencore dhe programeve matematikore të sofistikuara për përpunimin e të dhënave, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, me teori primordiale të dyshimit, ka vendosur ta analizojë rastin e arrestimit të Nagip Krasniqit.

Në televizion nacional, i ftuar për të diskutuar rreth aktualitetit, Kryeziu vendosi të mos merret me tenderët e parregullt për ushtrimin e ndikimit, keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe konfliktin e interesit për çka akuzohet kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, por foli për disa hamendësime të tij rreth rastit.

Për Kryeziun me më rëndësi se gjithçka tjetër është koha se kur u arrestua Krasniqi.

Duke mos dhënë ndonjë shpjegim, por duke hedhur si pyetje për publikun, Kryeziu tha se i është dukur interesat si Krasnsiqi u arrestua në ditën e liberalizimit të vizave.

“Është njëfarë cinizmi në veprimin e prokurorisë me rastin e arrestimit të kryeshefit të KEK-ut. Po është shumë shumë interesant që prokuroria e merr ketë vendim në ditën kur nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave”, deklaroi Kryeziu pa dhënë ndonjë shpjegim pse është interesant.

“Është shumë interesant, prokuroria speciale ka qenë përgjegjëse për trajtimin e rasteve të shënjëstruara që kanë qenë kusht për liberalizimin e vizave. Ky kusht nuk është plotësuar, a është dënuar dikush nga niveli i lartë? Jo”, vazhdonte zëdhënësi.

“Gjatë gjithë këtij procesi nga viti 2014 vazhdimisht sistemi i drejtësisë nuk ka arritur që të marr vendime sidomos në rastet e nivelit të lartë politik. Ditën kur është nënshkruar liberalizimi i vizave vendosën”, tha Kryeziu duke e ngatërruar krejtësisht rolin e prokurorisë me atë të gjykatës.

Sikur të kishte njohuri minimale të sistemit të drejtësisë jo veç në Kosovë po kudo në botë, Kryeziu do ta dinte që prokuroria nuk dënon as nuk merr vendime për të dënuar dikë, por vetëm ngritë aktakuzat. Është më pas gjykata që merr vendim. Prokuroria mund të jetë tejet efikase dhe të ngritë vazhdimisht aktakuza, nëse gjykata nuk shpall aktvendime dënuese, prokuroria s’ka çfarë të bëjë.

Meqë Kryeziu nuk e dinte, gazetari në emision ia tërhoqi vërejtjen.

“Po prokuroria nuk gjykon njerëz, dorëzon aktakuza. Ata kanë dorëzuar aktakuza, gjykata nuk i ka dënuar…”

Përgjigja e radhës e Kryeziut ishte edhe më e çuditshme se shpjegimi i tij për “interesanten misterioze” të arrestimit të Krasniqit.

“Mbase s’kanë qenë qysh duhet”, deklaroi ai, gjithmonë pa marr mundin të tregojë përse po dyshon.

“Ama bile e bën interesant, sepse vendos prokuroria kur të merret një veprim jo gjykata dhe prokuroria ka vendosur që një veprim i tillë të merret pikërisht në ditën kur ndodhi liberalizimi vizave. Rastësi a? Çdokush që nuk është i përfshirë mendoj që iu kish dok shumë interesant që ka ndodhë qatë ditë. Nuk është rastësi. E nëse është rastësi kish qenë rastësi e jashtëzakonshme”, tha zëdhënësi.

Përndryshe, Kryeziu shumë rrallë pranon të jap intervista dhe atë vetëm në mediume të caktuara. Derisa, shumicës së mediave refuzon t’iu jap edhe prononcime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore