Gjykata Speciale

Zëdhënësi i DhSK-së: Ish pjesëtari i UÇK-së dëshmoi për strukturën komanduese në Shqipëri dhe në zonën e Pashtrikut


Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, ka bërë të ditur se dëshmitari i 30-të ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili po ashtu është ish-pjesëtar i UÇK-së, ka dhënë dëshmi për strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe Zonën e Pashtrikut.

Ai këtë deklaratë e ka bërë të enjten përmes informimit javor të DhSK-së për media, teksa ka folur edhe për aktivitetet kryesore të realizuara në këtë gjykatë gjatë një jave.

“Dëshmitari i 30-të i thirrur nga Prokuroria, dëshmitar i mbrojtur i cili deri tani ka dhënë dëshmi kryesisht në seancë private. Sipas përmbledhjes të lexuar në sallë të gjyqit, dëshmitari është ish-anëtar i UÇK-së dëshmia e të cilit ka të bëjë, ndër të tjera, me strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në zonën e Pashtriku”, tha ai.

Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa, potencoi se më 10 tetor, trupi gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë që një dëshmitar të dëshmojë përmes video-konferencës dhe më 11 tetor miratoi pjesërisht një kërkesë tjetër të Prokurorisë që edhe një dëshmitar tjetër të dëshmojë përmes video-konferencës.

“Më 11 tetor, trupi gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes së Krasniqit për pranimin si provë të një dokumenti shtesë që lidhet me dëshminë e një dëshmitari”.

Po ashtu është miratuar kërkesa e Prokurorisë për kufizimin e kuadrit të marrjes në pyetje të dy dëshmitarëve në tema të caktuara, në bazë të rregullës 107.

“Kjo rregull përcakton se në qoftë se Prokuroria ka marrë informacion në mënyrë konfidenciale dhe vetëm për mbledhjen e provave të reja, informacioni nuk duhet të nxirret pa pëlqimin e dhënësit”.

“Në qoftë se Prokuroria thërret dëshmitar në kuadër të kësaj rregulle, ajo mund të kufizojë edhe kuadrin e pyetjeve”.

Seancat në çështjen gjyqësore të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, do të rifillojnë të hënën me 16 tetor, në orën 09:00 dhe janë planifikuar të vazhdojnë deri të enjten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore