Kosova

Zbulohet shtatorja e Adem Jasharit në Shtime


Në komunën e Shtimes, është bërë zbulimi i shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari

Në komunën e Shtimes, është bërë zbulimi i shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në nder të ditëlindjes së tij dhe festës së 28 nëntorit, ditës së flamurit.

Në ceremoninë e zbulimit të shtatores e cila u përjetësua për të shërbyer si kujtesë për brezat e ardhshëm për sakrificën e paraardhësve për çlirimin e vendit, i pranishëm ishte Kryetari i Shtimës, Naim Ismajli.

Ai gjatë fjalimit të tij theksoi se me luftën e UÇK-së u kurorëzua ajo që me shekuj pritej, liria e Kosovës, prandaj në këto ditë të veçanta kthehet kujtesa mbrapa jo vetëm për 22 vite por edhe për dekada e shekuj.

Shtatorja e Adem Jasharit në Shtime

“Populli jonë deri te arritja e lirisë, pati një rrugëtim të gjatë, të vështirë me plotë sakrifica, ku shumë shqiptarë e paguan me gjak. Të gjithë ne që frymojmë lirshëm e kemi një obligim, kujtesën për të kaluarën dhe respektin dhe atë që më së shumti duhet ta mbajmë mend janë vlerat e UÇK-së sepse ato janë bazamenti, themeli mbi të cilat po ngritët shteti ynë, shteti më i ri, Republika e Kosovës ”, ka thënë ai.

“Do mbetet gjithmonë obligim i yni ku do që jemi, që kontributin tonë dhe punën tonë, duke mos harruar asnjëherë të kaluarën tonë të lavdishme me plotë sakrificë të vazhdojmë drejt synimeve tona për shtet dhe për liri dhe për të mirat e gjithë qytetarëve dhe gjithë brezave që vijnë”, shtoi Ismajli.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i zgjedhur, Qemajl Aliu, përfaqësues të shoqatës së familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të invalidëve të luftës dhe qytetarë të shumtë.

Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

Komandanti legjendar Adem Jashari këtë 28 nëntor po të ishte gjallë do t’i bënte 66 vjet.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit.

Adem Jashari

Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin.

Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.

Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.

Adem Jashari me bashkëluftëtarët

Forcat policore jugosllave dhe ushtria e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Jashari ra heroikisht së bashku me 59 anëtarët e familjes së tij.

Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore