Lajme

Zbulohet propozimi i Ukrainës: Marrëveshje për garancitë ndërkombëtare të sigurisë


Ukraina propozon të nënshkruajë një marrëveshje për garancitë ndërkombëtare të sigurisë së saj.

Lajmin e ka konfirmuar Mikhail Podolyak, këshilltar i kreut të zyrës së Presidentit, për mediat ukrainase.

Podolyak ka sqaruar se si zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të bëhet sipas një procedure të caktuar.

Së pari, do të jetë një referendum në të cilin të gjithë qytetarët e Ukrainës do të shprehin qëndrimin e tyre për këtë marrëveshje.

Pas kësaj, shtoi Podolyak, do të ketë ratifikim në parlamentet e vendeve garantuese dhe parlamentin e Ukrainës.

“Ky është çelësi. Kjo do të thotë, që ne duhet të marrim mbështetjen e shoqërisë në mënyrë që marrëveshja të ndërtohet vërtet për ne”, theksoi Podolyak.

Sipas këshilltarit ukrainas, çështja e Krimesë është një klauzolë e veçantë e marrëveshjes.

Në këtë pikë, pala ukrainase propozon të rregullojë pozicionin e Ukrainës dhe Rusisë, për të zhvilluar negociata dypalëshe mbi statusin e Krimesë dhe Sevastopol-it për 15 vjet.

Delegacion ukrainas i propozoi palës ruse që shtetet “nuk do të përdorin forca ushtarake apo të armatosura për të zgjidhur çështjen e Krimesë gjatë kësaj kohe”.

Në të njëjtën kohë, kryetari i fraksionit Shërbëtori i Popullit, David Arakhamia, vuri në dukje se referendumi mund të zhvillohet vetëm në kohë paqeje.

Pala ruse

Zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë premtoi më herët të “ulë në mënyrë drastike aktivitetin ushtarak” në Kiev dhe Chernihiv.

Kryenegociatori rus Medinsky, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve “TASS”, foli për “bisedime konstruktive”.

“Ne kemi marrë një propozim nga Ukraina për të shqyrtuar disa nga qëndrimet e tyre për përfshirje në traktatin e paqes. Këto pozicione do të vlerësohen dhe do të vihen në vëmendje të presidentit, i cili do të japë një përgjigje”, deklaroi Medinsky.

Sot, ministri rus i Mbrojtjes, Shoigu, kishte shpallur vullnetin për të përqendruar operacionet ushtarake në “çlirimin” e Donbass-it”.

Kjo, pasi njoftoi se lufta kishte ulur ndjeshëm aftësitë ushtarake të Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore