Lajme

Zbulohen varre masive të viktimave të spastrimit në Ukrainë


Varrezat masive të viktimave të fushatës së spastrimit të madh të diktatorit sovjetik Josef Stalin, të viteve ‘30, u zbuluan në Ukrainë.

Instituti Ukrainas i Kujtesës Kombëtare (UINP) tha gjatë fundjavës se 29 varre masive u gjetën në territorin e një vendi të quajtur Tatarka, në qytetin port të Odesa-s në Detin e Zi.

Një historian nga Odesa, Oleksandr Babich, zbuloi dokumente në arkivat rumune në lidhje me ekzekutimet dhe varrosjet masive në vitet 1930.

Sipas dokumenteve, varret masive mund të shtrihen më tej në territorin e një njësie ushtarake aty pranë.

Në këtë pikë, po punohet për të përcaktuar numrin e saktë të burrave dhe grave të varrosura në varret masive, por tashmë historianët po thonë se vendi mund të jetë një nga më të mëdhenjtë e këtij lloji në Ukrainë.

Nuk ka të dhëna për numrin e saktë të qytetarëve sovjetikë, që u bënë viktima të spastrimit të madh të Josef Stalinit.

Sipas Qendrës Memorial të të Drejtave të Njeriut në Moskë, të paktën 12 milionë njerëz të pafajshëm u burgosën ose u ekzekutuan në Bashkimin Sovjetik midis viteve 1930 dhe 1950.

Muzeu Historik “Gulag” në kryeqytetin rus thotë se numri i njerëzve të tillë ishte rreth 20 milionë, nga të cilët më shumë se 1 milionë u ekzekutuan

23 gushti – ditë përkujtimi e viktimave të diktaturës

Dita e djeshme ishte Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare, e shpallur në  vitin 2008 nga Parlamenti Evropian me anë të miratimit të një Deklarate.

23 gushti përkon dhe me datën e nënshkrimit të Paktit Molotov-Ribbentrop, një pakt pa agresion i vitit 1939 midis BRSS dhe Gjermanisë naziste që përmbante një protokoll që ndau Rumaninë, Poloninë, Lituaninë, Letoninë, Estoninë dhe Finlandën në Sferat gjermane dhe sovjetike të influencës.

Sipas deklaratës, deportimet masive, vrasjet dhe skllavërimet e kryera në kontekstin e akteve të agresionit nga stalinizmi dhe nazizmi bien në kategorinë e krimeve të luftës dhe krime kundër njerëzimit

Me anë të kësaj, u kërkua si domosdoshmëri ruajtja e kujtimit të viktimave të deportimeve masive e të shfarosjeve.

Në të njëjtën kohë, duke rrënjosur më mirë demokracinë e duke forcuar paqen dhe stabilitetin në kontinentin tonë për të parandaluar përsëritjen e krimeve të nazizmit dhe stalinizmit.

Gjatë Presidencës hungareze të BE të vitit 2011, një nismë hungareze – lituaneze – polake rezultoi në marrjen e ministrive të drejtësisë nga BE, duke pranuar një dokument që lidhet me kujtimin e regjimeve totalitare.

Dita e përkujtimit filloi në protestat e mbajtura në qytetet perëndimore kundër krimeve sovjetike dhe okupimit në vitet 1980, të iniciuara nga refugjatët kanadezë nga vendet e pushtuara nga Bashkimi Sovjetik.

Ato kulmuan në Rrugën Balltike, një demonstrim i madh gjatë revolucioneve të vitit 1989, që kontribuuan në çlirimin e shteteve Balltike.

Qëllimi i Ditës së Kujtimit është të ruajë kujtimin e viktimave të deportimeve masive dhe shfarosjeve, duke promovuar vlerat demokratike, për të përforcuar paqen dhe stabilitetin në Evropë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore