Lajme

Zbulimi i të dhënave të 180 gazetarëve


Kompania izraelite e mbikëqyrjes “NSO Group”, e cila nëpërmjet produktit të saj kryesor, Pegasus, është e aftë të kompromentojë një telefon, të nxjerrë të gjitha të dhënat e ruajtura në pajisje dhe të aktivizojë mikrofonin e saj për të përgjuar bisedat ka qenë në qendër të lajmeve botërore të hënën e 19 korrikut

Hetimi për rrjedhjen e të dhënave nga më shumë se 50 mijë numra telefoni, u zhvillua nga një konsorcium global me më shumë se 80 gazetarë nga 17 media në 10 shtete.

Sipas një analize forensike nga grupi dhe partnerët e tij, më shumë se 180 gazetarë u zgjodhën në 21 vende nga të paktën 12 klientë të OJQ-ve.

Këta klientë qeveritarë variojnë nga autokracitë, si Bahreini, Maroku dhe Arabia Saudite deri te qeverisjet demokratike si India apo Meksika.

Ata kanë një shtrirje në të gjithë botën, nga Hungaria dhe Azerbajxhani në Evropë deri në Togo dhe Ruanda të Afrikës.

“Shifrat tregojnë qartë se abuzimi është i përhapur, duke vendosur jetën e gazetarëve, atyre të familjeve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në rrezik, duke minuar lirinë e shtypit dhe duke mbyllur mediat kritike”, tha Agnes Callamard, sekretari i përgjithshëm i Amnesty International.

Sipas tij, kjo ka të bëjë me kontrollin e rrëfimit publik, rezistencës ndaj vëzhgimit dhe shtypjen e çdo zëri kundërshtues.

Khadija Ismayilova

Shtëpia e Khadija Ismayilova në Baku ishte bërë si një burg. Në Azerbajxhan, një komb i pasur me naftë i vendosur pranë Detit Kaspik që nga viti 2014 ka “mbytur” gjithnjë e më shumë fjalën e lirë dhe mospajtimin.

Hetimet e Ismayilova-s ndaj familjes në pushtet e kishin bërë atë një objektiv kryesor të qeverisë azere.

Gazetarja investigative e dinte që po vëzhgohej vazhdimisht dhe kjo iu dëshmua edhe nga miqtë apo familjarët, të cilëve u ishte kërkuar ta spiunonin.

Ismayilova përfundimisht u arrestua për mashtrim tatimor dhe u dënua me shtatë vite burg.

Ajo u la e lirë me kusht pas 18 muajsh dhe u ndalua të dilte nga vendi për pesë vjet.

Në maj të vitit 2021, në fund të ndalimit të udhëtimit, kur Ismayilova i mblodhi sendet e saj dhe hipi në një aeroplan për në Ankara, Turqi, ajo mendoi se po i linte të gjitha gjërat pas.

Për gati tre vite, telefoni i Khadija Ismayilova-s ishte infektuar rregullisht me Pegasus, një mjet shumë i sofistikuar spiunimi i zhvilluar nga kompania izraelite “NSO Group”.

Kjo e fundit u jep klientëve qasje në përmbajtjen e telefonit dhe madje mund të aksesojë në distancë kamerën dhe mikrofonin, sipas një analize forensike nga Laboratori i Sigurisë së Amnesty International, në partneritet me “Forbidden Stories”.

“Gjatë gjithë natës kam menduar se çfarë bëra me telefonin tim”, u tha ajo gazetarëve nga shtëpia e saj e përkohshme në Ankara një ditë pasi mësoi se telefoni i saj ishte kompromentuar.

Ajo shtoi se ndihet fajtore për mesazhet që ka dërguar, për burimet që i kanë dërguar informacion pa e ditur se telefoni i saj ishte sabotuar.

Roula Khalaf

Redaktorja e “Financial Times” është një prej 180 gazetarëve, redaktorë, apo hulumtuesve të tjerë nëpër botë që u zgjodhën si kandidate të mundshme për mbikëqyrje nga klientët qeveritarë të firmës së mbikqyrjes NSO Group, sipas “The Guardian”.

Roula Khalaf, e cila u bë redaktorja e parë grua në historinë e gazetës vitin e kaluar, u zgjodh si një objektiv i mundshëm gjatë gjithë vitit 2018.

Numri i saj është përfshirë në një listë të numrave të telefonit të zgjedhur për mbikëqyrje të mundshme nga klientët e NSO-së, një firmë izraelite që prodhon spyware dhe ua shet qeverive.

Roula Khalaf, Financial Times

Gazetarë të tjerë, të cilët u zgjodhën si kandidatë të mundshëm për mbikëqyrje nga klientët e NSO-së, punojnë për disa nga organizatat më prestigjioze të medias në botë.

Ato përfshijnë “Wall Street Journal”, “CNN”, “New York Times”, “Al Jazeera”, “France 24”, “Radio Evropa e Lirë”, “Mediapart”, “El País”, “Associated Press”, “Le Monde”, “Bloomberg”, “Agence France-Presse”, “The Economist”, “Reuters” dhe “Zëri i Amerikës’.

NSO-ja ka këmbëngulur prej kohësh që qeveritë, për të cilat ajo licencon Pegasus-in janë të detyruar ta përdorin vetëm për të luftuar “krimin e rëndë dhe terrorizmin”.

Analiza e të dhënave të rrjedhura sugjeron që telefoni i Khalaf-it u zgjodh si një objektiv i mundshëm nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Asokohe, Khalaf-i ishte zëvendes-redaktore në “Financial Times”.

Një zëdhënës i “Financial Times” tha për “The Guardian” se liritë e shtypit janë jetike dhe çdo ndërhyrje e paligjshme e shtetit ose mbikëqyrje e gazetarëve – sipas tij – është e papranueshme.

Szabolcs Panyi

Kur erdhi raporti i forenzikës, gazetari hungarez Panyi u ul në redaksinë e “Direkt36” në Budapest, një komplet modest zyrash brenda një ndërtese madhështore, një bllok larg Danub-it, dhe skicoi një tabelë.

Në anën e majtë: datat në të cilat ai i dërgoi kërkesa zyrtare për komente qeverisë hungareze.

Në të djathtë: datat në të cilat analiza tregon se telefoni i tij ishte kompromentuar nga Pegasus.

Korrelacioni ishte i vështirë të injorohej.

Më 3 prill të vitit 2019, për shembull, Panyi dërgoi një kërkesë për komente në disa departamente qeveritare në lidhje me një histori që po punonte për një bankë ruse që po zhvendosej në Budapest, megjithë shqetësimet se mund të ishte një front për inteligjencën ruse.

Një ditë më vonë, telefoni i Panyi-t u infektua me Pegasus.

Kishte 11 raste kur prania e Pegasus përkonte me kërkesat për komente drejtuar qeverisë, sipas analizës së Amnesty.

Më shumë se gjysma e kërkesave për komente që ai dërgoi në zyra të ndryshme qeveritare gjatë një periudhe shtatëmujore u pasuan nga një sulm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore