Lajme

“Askush nuk i shpëton mbikëqyrjes”


Rrjedhja e fundit e të dhënave nga më shumë se 50 mijë numra telefoni, ku mes tyre spikat ai i një reporteri të pavarur meksikan, Cecilio Pineda Birto, i cili u vra disa javë më pas në një lavazh makinash, tregon se askush nuk i shpëton mbikëqyrjes.

Miliarda njerëz janë të pandashëm nga telefonat e tyre. Pajisjet e tyre janë në përdorim duke naviguar apo duke kryer telefonata. Pothuajse çdo përvojë të përditshme, nga më e zakonshmja te më intimja.

Pak vetë ndalojnë për të menduar se telefonat e tyre mund të shndërrohen në pajisje mbikëqyrjeje.

Dikush me mijëra kilometra larg, “në heshtje” zbulon mesazhet, fotot dhe vendndodhjen e tyre, duke aktivizuar mikrofonin për t’i regjistruar në kohë reale.

Të tilla janë aftësitë e Pegasus, spyware i prodhuar nga NSO Group, furnizuesi izraelit i armëve të mbikëqyrjes masive.

NSO-ja nuk e pranon këtë etiketim. Ajo këmbëngul se vetëm agjencitë e inteligjencës qeveritare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit mund të përdorin Pegasus-in, dhe vetëm për të depërtuar në telefonat e “shënjestrave kriminale ose grupeve terroriste”.

Zotimi i Paul Lewis

Paul Lewis, kreu i Investigimeve pranë “The Guardian”, shkruan se raportimi është i rrënjosur në interesin publik.

“Ne besojmë se publiku duhet ta dijë që teknologjia e NSO-së po abuzohet nga qeveritë që licencojnë dhe përdorin spyware-in e saj. Por ne gjithashtu besojmë se është në interesin e publikut të zbulojmë se si qeveritë kërkojnë të spiunojnë qytetarët e tyre dhe se si proceset në dukje, beninje, si kërkimet për HLR mund të shfrytëzohen në këtë mjedis”, nënvizon ai.

Ai shton se fillimisht u zbulua se si gazetarët në të gjithë botën u zgjodhën si objektiva të mundshëm nga klientët potencialë para një sulmi të mundshëm duke përdorur mjetet e mbikëqyrjes së NSO-së.

Lewis vijon me dëshmitë e një telefoni që kishte shenja të veprimtarisë së Pegasus-it. Telefoni i përkiste gazetares meksikane, Carmen Aristegui, numri i të cilit ishte në rrjedhjen e të dhënave dhe i cili u shënjestrua pas ekspozimit të një skandali korrupsioni që përfshinte ish-presidentin e Meksikës, Enrique Peña Nieto.

Rrjedhja e të dhënave sugjeron që autoritetet meksikane nuk u ndalën te Aristegui. Numrat e telefonit të të paktën katër kolegëve të saj gazetarë shfaqen në informacion, si dhe ndihmësi i saj, motra e saj dhe djali i saj, i cili në atë kohë ishte 16 vjeç.

“Të hetosh softuerin e prodhuar dhe shitur nga një kompani po aq sekrete sa NSO nuk është e lehtë. Biznesi i saj është mbikëqyrja, në fund të fundit”, shkruan Lewis.

Sipas tij, u bë një rishikim rrënjësor i metodave të punës, përfshirë ndalimin e diskutimit të punës me burime, redaktorë ose avokatë në prani të telefonave.

Snowden

Herën e fundit që “The Guardian” miratoi masa të tilla ekstreme kundër spiunazhit ishte në vitin 2013, kur raportonte për dokumentet e zbuluara nga sinjalizuesi Edward Snowden. Këto zbulime hapën “perdet” e aparatit të gjerë të mbikëqyrjes masive, të krijuar pas 11 shtatorit nga agjencitë e inteligjencës perëndimore të tilla si Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) dhe partneri i saj britanik, GCHQ.

Kjo nxiti asokohe një debat global rreth aftësive të mbikëqyrjes së shtetit perëndimor dhe bëri që Mbretëria e Bashkuar të pranonte se regjimi i tyre rregullator ishte i vjetëruar dhe i hapur ndaj abuzimeve të mundshme.

Projekti Pegasus mund të bëjë të njëjtën gjë për industrinë e mbikëqyrjes qeveritare të privatizuar që e ka kthyer NSO-në në një kompani miliarda dollarëshe.

Kompanitë e tilla si NSO operojnë në një treg që është pothuajse tërësisht i parregulluar, duke mundësuar mjete që mund të përdoren si instrumente të shtypjes për regjime autoritare të tilla si ato në Arabinë Saudite, Kazakistan dhe Azerbajxhan.

Tregu për shërbimet e mbikëqyrjes sipas kërkesës në stilin NSO ka lulëzuar pas Snowden-it, zbulimet e të cilit nxitën miratimin masiv të kriptimit nëpër internet. Si rezultat, interneti u bë shumë më i sigurt dhe rrokja masive e komunikimeve, shumë më e vështirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore