Zgjedhjet në Shqipëri

Zaev thirrje shqiptarëve: Votoni kandidatin maqedonas, Sterjovski


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut,  Zoran Zaev, të premten e 16 prillit, përmes një video në median sociale Facebook, iu ka bërë thirrje maqedonasve, qytetarë të Republikës së Shqipërisë, të mbështesin kandidatin për deputet të Shqipërisë, Vasil Sterjovski.

“25 prilli është gjithashtu një ditë e rëndësishme, dita kur ju do të votoni si maqedonas në Republikën e Shqipërisë, që Vasili të vazhdojë misionin e tij për të përfaqësuar maqedonasit në parlamentin shqiptar”, i është drejtuar shqiptarëve, Zaev.

Kryeministri maqedonas ka vënë në dukje dhe angazhimin e mëparshëm të Sterjovskit në parlament.

“Vasili ka qenë deputet në parlamentin e Shqipërisë në dy vitet e fundit dhe është një përfaqësues vërtetë i interesave të maqedonasve që jetojnë në Republikën e Shqipërisë”, shprehet ai në video, duke ritheksuar dhe një herë “bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë” mes dy vendeve.

Sipas tij, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë “janë vende mike që bashkërisht po ecin drejt integrimit evropian”.

“Maqedonasit në Shqipëri dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë ura bashkëpunimit, fqinjësisë dhe unitetit”, përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore