Shqipëria

‘Xhepat’ e Elbasanit, në duart e dy kandidatëve vendorë


Teksa 14 maj po troket, partitë politike kanë ndezur “motorët e fushatës”. Në shtrirjen planimetrike të 61 bashkive, Elbasani është një ndër arenat ku gara politike për zgjedhjet lokale parashikohet të jetë mjaft e fortë.

Përballë njëri-tjetrit, me bindje të kundërta qëndrojnë dy kandidatë. Njëri lufton për mandatin e dytë, ndërsa tjetri pretendon të rrok drejtimin për herë të parë.

Bëhet fjalë për kryetarin aktual të bashkisë Gledian Llatja, dhe alternativën e koalicionit “Bashkë fitojmë” Luçiano Boçi.

Ky i fundit, një emër i njohur nga politika. I zgjedhur katër herë deputet i Partisë Demokratike, kësaj here do të provojë të veshë “petkun” e kryebashkiakut.

Nga ana tjetër, juristi Gledian Llatja, siç e konsideron veten tradicionalisht të majtë, kandidon për të dytën herë.

Në gjithë dinamikën e programeve që kandidatët e kanë shpalosur për Albanian Post, mbetet një qëllim kryesor i të dyve: Zhvillimi ekonomik i Elbasanit.

Megjithatë rrugëtimi qëndron i ndryshëm.

“Premtimet tona janë të prekshme dhe të realizueshme. Ne nuk kemi premtuar çudira” dhe “Propozimi i tyre është një këngë tallavaje që me ndotje akustike të mbysin çdo debat duke krijuar alibinë se meraku më i madh i shqiptarëve është ahengu”.

Kështu i cilësojnë Llatja dhe Boçi alternativat që ofrojnë secili.

Llatja, në një prononcim për AP-në thekson se në këto 4 vite ka bërë një sërë investimesh dhe ka zbatuar një sërë projektesh për qytetin e Elbasanit dhe njësitë administrative.

Ndaj, sipas tij, qytetarët duhet ta votojnë pasi vizioni që ka për bashkinë Elbasan parashikon projektin më të madh në vend por jo vetëm, atë të Automoto Parkut.

Këtë, kundërshtari politik Luçiano Boçi e shikon si “anomali”.

“Alternativa e kundërshtarëve të mi është se do të sjellin në Elbasan 100 mijë veta për çdo event të Formula Uno-s, ndërkohë që krejt qyteti i Elbasanit ka humbur mbi 30% të njerëzve duke u rrudhur në më pak se 80 mijë banorë”.

Nga ana tjetër, ish-deputeti demokrat prezanton një “listë premtimesh”, madje thekson se lista do të ishte edhe shumë më e gjatë se kaq.

Për të, Elbasani do të jetë pjesë e hapësirës ekonomike Tiranë – Elbasan Durrës – ku sot prodhohet 65% e GDP-së si dhe qendër e Ekonomisë së Re dhe Zhvillimit Teknologjik.

Llatja, në vijimësi të mandatit të dytë, premton ndërtimin e Bypass-it të Elbasanit.

Kjo, “për të shmangur rritjen e volumit të trafikut që i drejtohet Juglindjes së vendit, pasi unaza aktuale e qytetit të Elbasanit, nuk ka parametrat e nevojshme për të përballuar trafikun në rritje të këtij korridori ndërkombëtar”, thekson ai për AP-në.

Ky i fundit shton se në katër vjeçarin që lamë pas, i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe investimit në zonat informale në qytet duke i kthyer ato në zona urbane sipas standardeve normale të një lagjeje moderne.

Teksa Llatja flet për çfarë është bërë dhe çfarë vijimësie do të ndjekë, Boçi ka një rrugë tjetër.

Çfarë nuk bëri kundërshtari dhe çfarë premton ai vetë.

Ai ravijëzon për AP-në se projektet që ka propozuar janë “të shumta, por janë që të gjitha të realizueshme”.

Kandidati opozitar premton ngritjen e Teknopolis- Parku Teknologjik Universitar që do të përfshijë 100 -150 kompani të reja. “Qyteti i Filmit”, është një tjetër titullim i pikës së programit.

Përpos këtyre, synim sipas tij është që të tërheqin në Elbasan 20% të turistëve që vijnë në Shqipëri.

Gjithashtu, kryefjalë do të jetë arsimi, bizneset – veçanërisht ato të reja, ndërtimet, si dhe taksimi.

Ndërsa, Llatja ka në vëmendje disa projekte, ku një pjesë e tyre janë “në punë e sipër”.

“Rijetëzimi i Kalasë së Elbasanit” dhe “rikonstruksioni i rrugës së Gjinarit e Funarit”, presin dorën e kryebashkiakut për t’u realizuar. Të paktën, këto premtime ka bërë ai.

Ashtu si Boçi, edhe Llatja ka menduar për arsimin e bujqësinë.

Ai thotë se ka si vizion ndërtimin e dy shkollave, ndërtimin e Muzeut të Arsimit, krijimin e qytetit të fëmijëve, ndërtimin e Muzeut të Telekomunikacionit, ndërsa për sa i përket bujqësisë Llatja ka premtuar ngritjen e pikave të grumbullimit, paketimit dhe konservimit të produkteve bujqësore.

Teksa kundërshtari premton “çudira”, siç i konsideron Llatja planet e Boçit, ai premton kthimin e Elbasanit në nyje lidhëse ekonomike ku “harmonizohen zhvillimi bujqësor, blegtoral dhe eko-turistik me atë infrastrukturor dhe industrial”.

Dhe teksa, Llatja ka këto premtime, Boçin e pret “një mal me punë”, për të bërë që “38 kostumet popullore dhe 18 instrumentet t’i këndojnë jetës”.

Qëllimi për të cilin “luftojnë” është i njëjtë, por misioni i tyre për ta realizuar është në dimensione të ndryshme.

Demokrati kërkon të “ringjallë qytetin”, e socialisti kërkon “ të vazhdojë” ato që ka nisur.

Ata përballen për një ndër bashkitë më të mëdha në Shqipëri me kompleksitetin më të lartë për t’u administruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore