Shqipëria

Xhemal Qefalia mes përleshjeve në Kuvend, shtyn deputetët e opozitës


Deputeti i Partisë Socialiste Xhemal Qefalia është përplasur fizikisht me deputetët e opozitës.

Ai, teksa ka kërkuar që të mos lëvizin karriget, ka shtyrë Edmond Spahon dhe deputetë të tjerë të Kuvendit.

Përveç tij, edhe deputetja tjetër e PS-së Antoneta Dhima është përplasur me deputetët e Partisë Demokratike, të cilët u kishin marrë karriget deputetëve të mazhorancës.

Në një moment ata e pengojnë deputeten e PS-së të marrë karrigen.

Akoma pa filluar seanca plenare, opozita ka nisur aksionin brenda Parlamentit.

Deputetët e grupimit Berisha kanë hyrë në Kuvend dhe kanë përmbysur karriget dhe kanë grumbulluar te foltorja për të bllokuar seancën.

Ndërkohë, Garda ka ndërhyrë për t’iu paraprirë çdo situate.

“Përplasje” ka pasur mes deputetit socialist Toni Gogu dhe deputetit Ervin Salianji nga radhët e opozitës.

Gogu e ka quajtuar Salianjin “kamikaz”.

Në debat ka ndërhyrë dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka pyetur se pse bën avokatin.

Vetë ish-kryeministri Sali Berisha jashtë Kuvendit theksoi se “mazhoranca ka planifikuar të përdorë ushtrinë por as kjo nuk do e ndalojë”.

“Nuk ka forcë në botë, ju e dëgjuat besoj, kanë planifikuar të përdorin dhe ushtrinë. Njëlloj me skenarin e vitit 1990 – 1991. Le të bëjë ç’të dojë por atë nuk e shpëton asgjë nga revolta e popullit opozitar për kushtetutën dhe të drejtën tij”.

Berisha shtoi se “jemi këtu për të kërkuar të drejtat tona kushtetuese të mohuara në mënyrën më brutale”.

“Në vlerësimin tonë janë interesi i të gjithë qytetarëve që duan pluralizmin dhe interesi i atyre që votuan kundër qeverisë dhe një opozitë të vërtetë dhe jo një opozitë përfaqësuesin e të cilit do të caktojë Edi Rama”.

Ndërkohë pritet që Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë seancën plenare – nëse nuk do të ketë “surpriza”.

Në rend dite janë parashikuar një sërë çështjesh, mes tyre edhe një interpelancë e kërkuar nga deputeti Nasip Naço me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

Ndërkohë gjashtë deputetë të opozitës – konkretisht Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Saimir Korreshi dhe Albana Vokshi – janë të përjashtuar me 10 ditë.

Pavarësisht kësaj, një ditë më parë, Bardhi i cili është njëkohësisht dhe kryetar i zgjedhur i Grupit të Berishës, tha se do të marrin pjesë në seancë pasi nuk e njohin vendimin e Komisionit të Etikës i cili me propozim të socialistëve vendosi për përjashtimin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore