Lajme

Xhaferoviç: Dodik po e shkel, ndërsa HDZ-ja po kërkon ndryshim të Marrëveshjes së Dejtonit


Anëtari boshnjak i presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviç

Në seancën e Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian (PE), ku po marrin pjesë anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës (BeH) dhe Kryetari i Dhomës së Popullit të BeH, Dragan Çoviç, anëtari boshnjak i presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviç, ka thënë se Bosnja dhe Hercegovina është në një pikë kthese.

Ai është shprehur se autoritetet në Republika Srpska (RS), të udhëhequra nga Milorad Dodik, po shkelin hapur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

“Pikërisht për shkak të këtyre kërcënimeve për shkëputje nga BeH, prania e EUFOR-it është rritur. Marrëveshja e Paqes e Dejtonit nuk është një kornizë statike me idenë e mbajtjes së BeH në gjendjen që ishte në vitin 1995. Është konceptuar si një kornizë dinamike që do të sigurojë rindërtimin dhe zhvillimin e BeH”, ka deklaruar Xhaferoviç.

Anëtari boshnjak i presidencës së BeH-së më tej ka thënë se Partia e Aksionit Demokratik (SDA) ka dy herë më shumë vota se sa partia e Bashkësisë Demokratike Kroate (HDZ) e BeH, por edhe se partia e Çoviç-it ka dy herë më shumë ministra në nivelin e federativ të BeH se SDA-ja.

“Ata janë aq të fortë sa nuk mund të merret asnjë vendim pa ta. Ata tani po kërcënojnë se do të pengojnë zgjedhjet e tetorit. Aktgjykimet e Gjykatës Evropiane nuk kanë vendosur për atë që kërkon HDZ-ja e BeH. Në fakt, kërkojnë ndryshim të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit”, ka thënë Xhaferoviç.

Anëtari boshnjak i presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviç

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore