Lajme

“Xhaferi s’është kryeministër shqiptar”, Osmani: Nëse deklarata e Qokut është dhënë në cilësinë e këshilltarit të Kurtit, do ishte problematike


Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njeherit edhe nënkryetar i BDI-së, ka thënë se deklarimi i Bekim Qokut, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi “nuk është kryeministër shqiptar” është problematike nëse është dhënë në cilësinë e këshilltarit të Kurtit.

“Nëse kjo deklaratë është në kapacitetin e kryeministrit Kurti, do ishte deklaratë problematike e cila do duhej të sqarohej, por distancimi i Kurtit ndaj këtij personi e konfirmon qartë se Kosova e përshëndet këtë akt historik që ka ndodhur në Maqedoni të Veriut. Bekim Qoku po tenton të përfitojë në këtë fushatë parazgjedhore në Maqedoni të Veriut, pasi politika kosovare është shumë më e pjekur se pretendimet e këtij personi”, tha Osmani gjatë një interviste në RTV Dukagjini.

Të dielën, Qoku ka shkruar në Facebook se Xhaferi, “nuk është kryeministër shqiptar”, pasi sipas tij, fillimisht do duhej të bënte homazhe te varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001.

“Talat Xhaferi, si kryeministër teknik, do të quhej shqiptar, sikur të paktën si gjest të parë prej kryeministri, të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001, ku do të shprehte mirënjohje dhe respekt, sepse pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur të tyre, kjo arritje simbolike nuk do të ishte aspak e mundur”, shkroi Qoku në Facebook.

Të dielën, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut votuan për qeverinë teknike e cila do të drejtohet për herë të parë nga një shqiptar: ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), Talat Xhaferi, i cili për një kohë drejtoi edhe legjislativin maqedonas, nga sot është futur në historinë moderne si shqiptari i parë që udhëheq me postin më të rëndësishëm në këtë shtet.

Ai u zgjodh kryeministër me 65 vota pro, vetëm 3 kundër dhe asnjë abstenim nga gjithsej 68 deputetë të pranishëm në sallë – një moment historik që reflekton kontributin e shqiptarëve në ndërtimin e shtetësisë së Maqedonisë së Veriut. Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk morën pjesë në votim. Gjithashtu, në votim nuk morën pjesë as opozita shqiptare.

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut deklaroi të dielën gjatë seancës se do ta ruajë dhe avancojë kursin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut, ku ndër prioritet e qeverisjes teknike do të mbetet veçanërisht bashkëpunimi midis Bashkimit Evropian (BE), Aleancës Veri-Atlantike (NATO) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore