Shqipëria

Xhaçka i kundërpërgjigjet Daçiç: Barrikadat nuk janë mjete proteste paqësore


Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka reaguar pas deklaratave të homologut të saj serb, Ivica Daçiç, i cili theksonte se barrikadat janë një mjet paqësor i protestës.

“Na vjen keq, nuk jemi dakord! Barrikadat nuk janë mjet proteste paqësore”, shkruan shefja e diplomacisë shqiptare.

Sipas saj, nëse ajo që Daçiç thotë do të ishte kështu, atëherë do të duhej të rishikoheshin shumë nocione themelore të qytetërimit tonë për bashkëjetesën paqësore mes njerëzve, komuniteteve, partive, kombeve.

“Me pasoja dramatike. Nuk është një ide e mirë, fare”.

Daçiç më herët tha se “Xhaçka kishte folur në mbështetje të regjimit kriminal të Albin Kurti, e duke sulmuar brutalisht Serbinë më armët e ngritura”.

Kjo pasi, Xhaçka theksoi se serbët duhet të mos justifikojnë barrikadat dhe kriminelët.

“Asnjë fjalë nuk tha për t’i kujtuar Kurtit se ka detyrime ndërkombëtare për implementimin e marrëveshjes së Brukselit, rezolutës 1244 dhe dokumenteve të tjera relevante. Ka detyrimin të krijojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të mos dërgojë njësitë e armatosura në veri dhe të mos arrestojë serbët, thjesht sepse janë serbë”, ishte përgjigjja e Daçiç-it.

Ndër të tjera, shefi i diplomacisë serbe shtoi se barrikadat janë një rezistencë politike paqësore kundërterrorit që Albin Kurti po ndërmerr ndaj qytetarëve serbë.

“Në vend ta paralajmërojë atë për të mos kërcënuar paqen dhe stabilitetin në rajon, ministrja shqiptare e inkurajon të vijojë me provokimet. Për këtë arsye, ajo dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar kanë përgjegjësi të madhe për gjithçka që po ndodh dhe mund të ndodhë në Kosovë”, vijoi ministri serb.

Çfarë po ndodh në veri?

Në orët e vona të së martës edhe pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë në Merdarë është mbyllur për hyrje-dalje për shkak se serbët kanë ngritur barrikada rreth dy kilometra larg kufirit me Kosovën.

Rruga Prishtinë-Nish, që kalon përmes Merdares, përdoret për qarkullim nga diaspora e Kosovës, por edhe nga serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, apeloi tek qytetarët që t’i shfrytëzojnë pikat tjera kufitare, pasi një grup serbësh bllokuan rrugët në mbështetje të serbëve në Mitrovicën e Veriut.

Ushtria serbe nuk hyn në Kosovë – boll me barrikada, bën thirrje Xhaçka

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore