Shqipëria

Xhaçka e konsideron “Korridorin 8” më tepër se një projekt infrastrukturor


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Olta Xhaçka e konsideroi Korridorin 8 shumë më tepër se një projekt të thjeshtë infrastrukturor.

Lajmi u bë i ditur gjatë fjalës së saj në takimin ministror të Italisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në Kështjellën Federiciano në Brindisi.

Kryediplomati italian Antonio Tajani kryesoi një takim kushtuar Korridorit 8, një infrastrukturë multimodale e përfshirë në Rrjetin Trans-Europian të Transportit (TEN-T) që do të lidhë detin Adriatik me Detin e Zi.

“Korridori 8 është shumë më tepër se një projekt i thjeshtë infrastrukturor. Ai është parashikuar si një mekanizëm bashkëpunimi dhe integrimi. Do të ndihmojë në kthimin e detit Adriatik në det që na bashkon dhe transformon gjendjen tonë ekonomike”, u shpreh fillimisht zyrtarja shqiptare.

Xhaçka shtoi krah homologëve të saj rajonalë se është “kënaqësi të punojmë së bashku për të çuar përpara këtë axhendë”.

“Kënaqësi të shohësh një angazhim kaq të madh për ta bërë Korridorin 8 realitet. E inkurajuar nga përkushtimi i Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Të vendosur për ta çuar këtë ide deri në fund, për të mirën e të gjitha vendeve dhe popujve tanë”, shtoi ajo.

Kryediplomatja shqiptare kujtoi se marrëdhëniet Shqipëri-Itali mbeten të shkëlqyera, sepse mbështeten në miqësinë e thellë mes njerëzve tanë

Përveç një sesioni kushtuar posaçërisht Korridorit 8, axhenda e punimeve do të përfshijë një diskutim me fokus konfliktin në Ukrainë, Ballkanin Perëndimor dhe çështjet e migracionit.

Në rendin e ditës është edhe një diskutim për nevojën për përfshirje më të madhe të komuniteteve lokale dhe brezit të ri, gjë që është vendimtare për rritjen e besimit të shoqërisë civile ballkanike në perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian të vendeve të rajonit.

Në fakt, është një perspektivë të cilës Italia i kushton shumë rëndësi dhe të cilën e mbështet me gjithë zemër, vëren MPJ-ja italiane.

“Së bashku me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, ne duam të promovojmë bashkëpunim dhe integrim më intensiv përmes Korridorit 8. Ky takim do të shërbejë edhe për të nisur një platformë për dialog politik dhe bashkëpunim që do të jetë shembull për bashkëpunimin rajonal në Ballkan duke asociuar dy shtete anëtare të BE-së dhe dy vende kandidate”, komentoi zëvendës kryeministri italian. “Ballkani është një rajon me rëndësi strategjike për Italinë, në të cilin qeveria italiane ka investuar, duke e profilizuar veten si një lojtar kryesor”.

Në margjinat e takimit, pas një vizite të shkurtër në bordin e anijes San Giorgio të marinës italiane, Tajani dhe ministrat e tjerë të Punëve të Jashtme do të udhëtojnë në Qendrën e Shërbimit Global të OKB-së dhe Depon e Reagimit Humanitar.

Baza e OKB-së në Brindisi është një qendër ekselence, në të cilën Italia synon të vazhdojë të investojë, edhe në sajë të spin-off-it që krijon për ekonominë vendase.

Diplomacia italiane pret në Brindisi takimin rajonal për “Korridorin 8”

Korridori 8: Tajani, në Brindisi më 27 korrik për një samit me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore