Aplikacione

Wikipedia në Kinë, në një luftë fjalësh


Aftësia e platformës globale, Wikipedia, për të ruajtur ekuilibrin mbi çështjet kineze është vënë në pikëpyetje pas ndalimit që parandaloi disa “redaktorë” kinezë të shkruajnë dhe përditësojnë faqet.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se demonstratat e shtypura të vitit 2019 dhe 2020 janë kthyer në një luftë fjalësh midis redaktorëve të Wikipedia-s që janë pro-demokracisë dhe atyre që janë pro Pekinit.

Në Wikipedia, çdokush mund të modifikojë shumicën e faqeve, por vetëm një pjesë e përdoruesve priren ta bëjnë këtë dhe vetëm disa prej tyre e bëjnë këtë rregullisht.

Problematikat dolën në sipërfaqe në muajin shtator, kur organi drejtues i Wikipedia-s ndaloi shtatë redaktorë aktivë pro Pekinit dhe hoqi kompetencat administrative të 12 të tjerëve.

Të përfshirët u akuzuan për ngacmim dhe frikësim të redaktorëve që kishin një qëndrim pro-demokracisë.

Mirëpo, zërat pro Pekinit kanë thënë se veprimet do të nënkuptojnë se narrativat në lidhje me Kinën dhe Hong Kong-un do të jenë të njëanshme ndaj një këndvështrimi perëndimor.

“Wikipedia, veçanërisht Wikipedia kineze, është ekuilibër”, ka thënë Enming Yan, një ish-administrator i faqes, me fuqi më të mëdha redaktimi.

Atij i është ndaluar hyrja në platformë, por ai mohon ta ketë keqpërdorur atë.

Megjithatë, themeluesi i saj, Jimmy Wales, ka treguar se parimet e platformës për lirinë e shprehjes dhe neutralitetin zbatohen globalisht.

“Shumë njerëz janë në gjendje të thonë se këtu është këndvështrimi im për botën, por ka këndvështrime të tjera. Një enciklopedi duhet të paraqesë një shpjegim të këtyre pikëpamjeve në një mënyrë të drejtë”, ka shtuar ai.

Një hetim i “BBC”-së ka zbuluar “luftërat e redaktimit” midis redaktorëve pro-Pekinit dhe pro-demokracisë për çështjet që lidhen me Hong Kong-un, kryesisht në faqen në gjuhën kineze, por edhe në versionin anglisht.

“Njerëzit pro Pekinit shpesh heqin përmbajtjen që është përkrahëse ndaj protestave, të tilla si gazi lotsjellës dhe imazhet e barrikadave”, ka treguar një redaktor me qendër në Hong Kong.

Ai ka pranuar se “luftërat e redaktimit” ndodhin nga të dyja palët.

“Redaktorët pro-demokracisë priren të shtojnë përmbajtje për të ndryshuar ekuilibrin ose tonin e artikullit, por në përvojën time, redaktorët pro Pekinit janë shumë më agresivë në nxjerrjen e keqinformimeve”, ka shtuar ai.

Redaktori anonim ka treguar se shumë nga redaktorët pro Pekinit janë qytetarë patriotë që jetojnë jashtë Kinës, ndërsa ata që redaktojnë nga brenda kontinentit po përdorin metoda si VPN (rrjete private virtuale) për të anashkaluar bllokimin e qeverisë në faqe.

Frikësimi

Ndalimi i redaktorëve pro Pekinit buroi edhe nga akuzat për frikësim.

Mesazhet në kanalet e bisedave private të shfaqura në hetimin e “BBC”-së sugjeronin përdorimin e ligjit të sigurisë kombëtare të Hong Kong-ut kundër redaktorëve pro-demokracisë.

Ka gjithashtu akuza se po abuzohej me natyrën e hapur të sistemit të Wikipedia-s, ku çdokush mund të redaktojë artikuj.

“Kur fillova të bëj redaktimet e mia, redaktorët pro Pekinit po mblidheshin për të zhbërë redaktimet e mia”, ka treguar Dave, një tjetër redaktor pro-demokracisë.

“Kur i çova shqetësimet e mia në një nivel më të lartë, redaktorët pro Pekinit u përpoqën të përdornin numrat e tyre për të më larguar, kështu që zëri im nuk u dëgjua”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Yan ka thënë se po ndihmon për të ndërtuar një platformë të re që do të jetë përfaqësuese e këndvështrimit të Pekinit, megjithëse do të censurohet nga shteti.

“Njerëzit do të kenë një platformë më të mirë për të shkruar rreth artikujve të enciklopedisë”, ka zbuluar ai.

Kurse Wales ka pohuar se Wikipedia mund të jetë ende një burim i qëndrueshëm informacioni cilësor për vendin nëse njerëzve u jepet aksesi i duhur.

“Gjëja më e madhe që po i pengon kinezët kontinental të shprehin këndvështrimin e popullit kinez është qeveria kineze, e cila nuk i lejon ata të modifikojnë Wikipedia-n”, ka sqaruar ai.

Për të, “ideja se po përjashtojmë Kinën është absurde. I mirëpresim me krahë hapur redaktorët nga Kina”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore